Pas kthimit nga Kievi, presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se nuk ka gjasa të arrihet një marrëveshje me homologun e tij rus Vladimir Putin për eksportin e grurit nga porti i Odesës i Ukrainës, sipas The Guardian.
“Ne duhet të flasim me Rusinë për sigurinë ushqimore dhe kjo mund të arrihet duke komunikuar drejtpërdrejt me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për të nxjerrë drithërat nga Odesa.
Por unë nuk besoj se kjo do të ndodhë sepse kam biseduar me Putinin disa javë, por ai nuk donte të pranonte një rezolutë të OKB-së në lidhjë më këtë temë,” tha Macron.
Rikujtojmë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se gati gjysma e furnizimit të eksportit të grurit të Ukrainës është aktualisht e bllokuar pasi Rusia vazhdon të bllokojë rrugët kryesore të eksportit të vendit përmes Detit të Zi dhe Detit Azov, duke e quajtur situatën një katastrofë të mundshme për sigurinë globale të ushqimit.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se vlerësimet e OKB-së se uria mund të prekë 50 milionë njerëz të tjerë këtë vit ishte një vlerësim “konservator”, duke nënkuptuar se numri i të prekurve do të jetë më i madh.