Nga Adriatik Doci

Baballarët u shkarkuan nga Vetingu si gjyqtarë për pasuri të paligjshme, fëmijët e tyre pranohen në Shkollën e Magjistraturës si kandidatë për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj. Mirjon Brahimllari është pranuar në Shkollën e Magjistraturës, profili prokuror, për vitet akademike 2021-2024. Mirjon Brahimllari është i biri i ish-gjyqtarit të Apelit për Krime të Rënda, Gurali Brahimllari, i shkarkuar nga organet e Vetingut me vendim të formës së prerë pasi nuk justifikonte plotësisht pasurinë me të ardhura të ligjshme.

Matilda Çela është shpallur fituese në provimin për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022. Matilda Çela është e bija e ish ish-kryetarit të Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, i shkarkuar nga vendim të formës së prerë nga organet e Vetingut për mungesë profesionalizimi dhe pasuri të pajustifikuara me të ardhura të ligjshme.

Ardjan Karaj është pjesë e listës së kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar dhe prokuror, për vitin akademik 2021-2022. Karaj është i biri i gjyqtarit Rexhep Karaj, i shkarkuar nga Komisioni i Vetingut për probleme me pasurinë.

Në këtë listë fituese rezulton edhe Boiken Bendo, i cili është i biri i ish gjyqtarit të Apelit, Agim Bendo, i përjashtuar me vendim të formës së prerë për 15 vite nga drejtësia, pasi ia mbathi nga sistemi për të evituar përballjen me Vetingun.

Pjesë e kësaj liste me gjyqtarët dhe prokurorët e së ardhmes është edhe Amantia Levanaj, e cila është e bija e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Gramoz Levanaj, i përjashtuar nga drejtësia për 15 vite me vendim të formës së prerë, pasi dha dorëheqjen për të evituar përballjen me Vetingun.

Pjesë e listës, profili prokuror, është Vilma Hasneziri, bashkëshortja e gjyqtarit Luan Hasneziri, i shkarkuar nga Komisioni i Vetingut. Gjyqtarit i është refuzuar edhe viza nga Ambasada Amerikane.

Të lartpërmendurit kanë kaluar në filtrat e KLP-së dhe KLGJ-së për pasurinë dhe figurën, ndonëse familjarët e tyre janë shkarkuar për të njëjtat arsye.

Refuzohen dy kandidatë

Zakonisht njerëzit e drejtësisë janë pasuruar pasi janë bërë pjesë të gjykatave dhe prokurorëve, por nuk përjashtohen as rastet e pazakonta, kur kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë nuk justifikojnë pasuritë dhe nuk kalojnë testin e figurës, për t’u bërë pjesë e drejtësisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndaluar dy kandidatë për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës, pasi nuk kanë kaluar testin e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës.

Shqiptarja.com mëson se ata janë Arbër Lloshi dhe Ines Dani. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kryer një verifikim të dy kandidatëve mbi kriterin e pasurisë dhe figurës. Në përfundim të procesit, KLP-ja ka krijuar bindjen se dy kandidatët nuk ishin të përshtatshëm për t’u pranuar në Shkollën e Regjistraturës, për t’u bërë më pas pjesë e drejtësisë./Shqiptarja.com