Korrupsion dhe falsifikim rezultati në 2 qendra votimi në zgjedhjet e 2021, 6 të arrestuar dhe 2 të shpallur në kërkim në Elbasan. Të gjithë janë numërues në një KZAZ, përfaqësues të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Janë arrestuar Erald Karriqi, Ylli Kuka, Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku dhe Olgert Alla. Ndërsa janë në kërkim Oltion Bajrami, dhe Eduart Zito. Bëhet fjalë për ndryshime të rezultatit, ku votat për një kandidat i kanë kaluar një kandidati tjetër brenda partisë ose koalicionit.
Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka siguruar dokumentin e prokurorisë! Arrestimi i tyre është bërë pas kallëzimit që është bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Bëhet fjalë për 2 grupe numërues në KZAZ-në nr. 53 në Librazhd të cilët kanë falsifikuar rezultatin në 2 qendra votimit në atë nr. 2780, numëruar nga Grupi i Numërimit i përbërë nga Erald Karriqi,Ylli Kukaj,Oltjon Barjami dhe Eduart Zito dhe qendrën e votimit nr. 2796, KZAZ nr. 53, Qarku Elbasan numëruar nga Grupi i Numërimit i përbërë nga Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku dhë Olgert Alla.
Falsifikimi i rezultatit është vënë re nga këqyrja pas zgjedhjeve që ka bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjatë procesit të këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit rezultoi se anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit të grupit të numërimit numër më të vogël votash një apo më shumë kandidatë të subjekteve zgjedhorë dhe numër më të madh votash për një apo më shumë kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor, krahasuar me numrin real të votave që u gjendën në kutinë e votimit.
Në këtë mënyrë rezultati i qendrës së votimit për kandidatët e listave shumemërore të subjekteve nuk pasqyron rezultatin real të cilët zgjedhësit e këtyre qendrave kanë shprehur nëpërmjet votimit, duke favorizuar një apo më shumë kandidatë të listave shumemërore të subjekteve zgjedhorë.
Të akuzuarit rrezikojnë deri në 5 vite burg pasi në nenin 326 të Kodit Penal “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” parashikohet se “Falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor, me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave, që dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet”.