Në Gjykatë e Apelit të Tiranës çështja më e nxehtë e kohëve të fundit është ajo e shqyrtimit të ‘fatit’ të Partisë Demokratike, nëse do të mbetet në dorë të Berishës apo jo. Kur të gjithë presin datën e shyqrtimit apo vendimit, Gjykata e Tiranës ka njoftuar sot si pasojë e procedurave brenda saj ka ndryshuar relatorin e çështjes së ankimit të Gazment Bardhit për statutin e 18 dhjetorit.

Gjykata e Apelit Tiranë ka njoftuar se pas rihedhjes së shortit do të jetë relatore Irida Kacerja në vend të Genti Shalës, që ishte përcaktuar në shortin e mëparshëm së bashku me gjyqtaret Edlira Petri dhe Elona Toro. Trupa e re gjykuese do të shqyrtojë ankimin e Partisë Demokratike për mos regjistrimin e Statutit të 18 dhjetorit bashkë me ndryshimet në Kuvendin e 17 korrikut.

Gjyqtari Agron Zhukri më datë 25 mars regjistroi ndryshimet e statutit të miratuara në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha. Gjyqtarja Blerina Muça ka pranuar në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkëngjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.

Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.

Pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.