Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi morën pjesë në festën e organizuar me fëmijë, mësues dhe prindër të Shkollës Speciale të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar në qytetin e Durrësit.
“Dje e festuam 1 Qershorin edhe me fëmijët e Shkollës Speciale të qytetit të Durrësit, të cilët me mbështetjen e mësuesve të tyre të përkushtuar ia kanë dalë të përfshihen në të gjitha proceset mësimore dhe shoqërore si të gjithë fëmijët e tjerë,” – shkruan ministrja Kushi.
Ministrja Kushi falënderoi ekipin e përkushtuar të kësaj shkolle, të cilët u falin çdo ditë përkujdesje dhe dashuri fëmijëve.
Ndërgjegjësimi në lidhje me shkollat speciale ka ardhur gjithnjë në rritje, gjë që ka bërë që prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe të angazhohen dhe mbështetin më shumë aktivitetet sociale për këta fëmijë, të cilëve nëse u dhurohet pak dashuri ata të dhurojnë shumë më shumë.