Një kamerier shqiptar po cilësohet si hero pasi ai shpëtoi një turiste nga mbytje, ndërkohë që ishte duke konsumuar ushqim.
Ngjarja ka ndodhur në një restorant në Għar Lapsi në Maltë, ndërsa heroi Endri Demaj ishte kamarier në këtë restorant kur pa Patricia Neto, një 73-vjeçare banore e Pietà duke u mbytur në një copë mish.
Duke rrëfyer përvojën më pas, Patricia tha se nuk mund të merrte frymë dhe ishte e sigurt se do të vdiste.
Miqtë e saj thirrën për ndihmë dhe Endri u përgjigj shpejt, duke i hequr mishin. Pasi ia doli, njerëzit që ishin të pranishëm në restorant filluan të duartrokasin.
Në Facebook, vajza e Patricias, Carole Khosla, ka falënderuar nga zemra Endrin.
“Ju i shpëtuat jetën nënës sime atë ditë dhe unë jam vërtet mirënjohëse,” tha ajo. “Kujdesi dhe vëmendja e treguar ndaj saj më pas ishte gjithashtu e mahnitshme.”
Endri u lavdërua në rrjetet sociale, me njerëz që e quanin hero dhe të tjerë e shfrytëzonin rastin për të theksuar rëndësinë e trajnimit për ndihmën e parë.