Në një dalje të tij sot nga lagjja e re “5 Maji”, ku po ndërtohen apartamentet e reja për familjet e prekura nga tërmeti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj sulmoi me fjalë të ashpra një gjyqtar të Gjykatës Administrative, i cili sipas tij, ka bllokuar punën për çlirimin e varrezave të Sharrës nga ndërtimet e shumta ndër vite pa leje.

Veliaj nuk e përmendi emrin e gjyqtarit, por paralajmëroi denoncim për këdo që përpiqet të bllokojë progresin e Tiranës. “Ndihem shumë i keqardhur kur shikoj gjyqtarë të Gjykatës Administrative që bllokojnë Bashkinë e Tiranës të çlirojë varrezat e “Sharrës” dhe japin urdhëra bllokimi ndaj punës së bashkisë. Varrezat e vjetra janë zaptuar me shtëpi pa leje, të cilat bashkia kërkon t’i largojë prej 7 vitesh dhe gjykata thotë: Jo, këto shtëpi do të rrijnë në varreza. Jemi në vitin 2022 dhe kemi vendime gjykatash që bllokojnë bashkinë të çlirojë varrezat. Por, kjo heshtja ime nuk do të zgjasë shumë. Këta nuk do të vazhdojnë më në drejtësi dhe do të jem unë i pari që do t’i denoncoj”, deklaroi sot Veliaj.

Emri i gjyqtarit të cilit i referohet Veliaj është Avni Sejdi. Ai nuk është i panjohur në botën e gjyqtarëve të dyshuar për abuzime të mëdha dhe bën pjesë në një nga rastet e gjyqtarëve që thonë se i blejnë apartamentet me para dhuratë, pa justifikuar burimin e tyre. Avni Sejdi është përfolur në media edhe si gjyqtari që, përmes dy vendimeve të marra brenda 13 ditësh, ka favorizuar shoqërinë EKMA Albania, për abuzim e dëm ndaj tregtarëve në tregun Agro-ushqimor në vitin 2019.

Ndërkaq, rezulton se Avni Sejdi ka blerë apartament në Tiranë me para dhuratë, hua dhe kursime. Në një artikull të Report TV, thuhet se në vitin 2005, gjyqtari deklaron një kontratë për blerje apartamenti në Tiranë me vlerë 4 720 000 lekë, ndërsa nuk jepen të dhëna për sipërfaqen. Si burime të ardhurash për të justifikuar blerjen e apartamentit, gjyqtari deklaron 14 mijë euro dhuratë nga vëllezërit e tij.

Një taktikë kjo e përdorur nga disa gjyqtarë që përpiqen t’ia hedhin Vettingut, duke mos ditur si të justifikojnë burimin e të ardhurave për makinat, apartamentet apo sendet me vlerë.