Pohimet e Charles Michel se diçka e mirë do të mbërrijë për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, duket kanë pasur një shtysë konkrete. Mësohet se Franca ka përgatitur një propozim për zgjidhjen e grindjes mes Shkupit dhe Sofjes duke ngjallur shpresa se deri në fund të muajit mund të zhbllokohet procesi i anëtarësimit në BE.
Propozimin e Parisit për heqjen e vetos së vendosur nga Bullgaria në negociatat për anëtarësimin, për të cilin flasin të gjithë, deri tani nuk e ka parë askush.
Jo zyrtarisht thuhet se ai parashikon që kërkesat e palës bullgare të përfshihen në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe BE-ja të jetë garantuese për realizimin e tyre.
Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski, pohoi se nuk e kanë marrë ende propozimin francez, megjithatë tha se i vlerëson lartë përpjekjet e kryesueses së radhës të BE-së dhe të vetë presidentit Macron për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme edhe për Shkupin edhe për Sofjen.
“Për momentin tek ne nuk e kemi propozimin që është harmonizuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshi edhe Bullgarinë. Kur të vijë një propozim i tillë ne do ta shqyrtojmë. Ndërkohë sa i përket identitetit dhe gjuhës, ne e kemi pozicionin të qartë se për këtë çështje nuk diskutojmë”, tha Kovaçevski.
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi përmendi mundësinë e gjetjes së një zgjidhej, duke kujtuar kompromisin që i dha fund ngërçit të hershëm të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Është e rëndësishme të theksojmë se si Greqia dhe Maqedonia e Veriut arritën ta tejkalojnë problemin e tyre dhe ta zgjidhin atë me një marrëveshje të përbashkët. Presim që Bullgaria të bëjë përpjekje dhe të bëj të njëjtën gjë. Jam i sigurt që bisedimet do të ofrojnë shumë ide se si të ecim përpara së bashku”, tha Varhelyi.
Edhe pse disa analistët mendojnë se koha është tejet e shkurtër që kjo çështje të mbyllet deri në samitin e radhës së BE-së, propozimi francez sërish ka ngjallur disa shpresa, se muajin tjetër mund të ketë zhvillime pozitive në drejtim të zhbllokimit të procesit integrues.