Qytetarët e Tiranës shijuan pasditen e djeshme paradën e Gardës Mbretërore të Norvegjisë.

Në paradë ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes,Niko Peleshi, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet për Parlamentin, Elisa Spiropali, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ushtarake, qytetarë etj.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, bandat treguan se marrëdhëniet mes dy vendeve forcohen dita-ditës si dy aleatë të NATO-s.

“Performancë mbresëlënëse e Gardës Mbretërore të Norvegjisë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”. Së bashku me Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura, bandat treguan se marrëdhëniet mes dy vendeve forcohen dita-ditës si dy aleatë të NATO-s. Mirënjohje Norvegjisë për mbështetjen në rrugën e integrimit, projekte të ndryshme dhe ndihmën për rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit të 26 Nëntorit. Së bashku për të garantuar paqen e sigurinë”, shkruan Peleshi.

Gjithashtu dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndau sot në rrjetet sociale pamje nga parada e Gardës Mbretërore të Norvegjisë.

“Garda e Mbretit konsiderohet si ndër më të mirat në botë, bashkë me bandën ushtarake, vijnë në Tiranë në bashkëpunim me Ministria e Mbrojtjes dhe bashkia Tiranë”, shprehet Veliaj.

Garda Mbretërore e Norvegjisë konsiderohet si një nga rojet mbretërore më të famshme në botë dhe është një nga njësitë më të mëdha në Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë. Shfaqje nga Garda Mbretërore e Mbretërisë së Norvegjisë janë ndër më të vizituarit kudo që kanë performuar.