Gjermania duhet të përgatitet për një valë të re të Covid-19 gjatë periudhës së vjeshtës. Kështu deklaron këshilli i ekspertëve për koronavirusin në Gjermani.
Ekspertët kanë parashikuar tre skenarë të mundshëm për vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm. Në një “model bazë” supozohet rritja e numrit të të sëmurëve nga sëmundja e koronavirusi.
Në rast të një skenari negativ boshllëqet e vaksinimit në popullsi dhe rënia e imunitetit me kalimin e kohës mund të përkojnë me variante më të rrezikshme të koronës, e kësisoj edhe të vaksinuarit plotësisht mund të përballen me një sëmundje më të rëndë.
Në një skenar më të favorshëm një variant i ri i virusit mund të jetë më pak i rrezikshëm, si rrjedhojë masat e mbrojtjes ndaj Covid-19 nuk do të ishin më të domosdoshme për të gjithë, por ndoshta vetëm për personat e rrezikuar.
Megjithatë, këshilli i ekspertëve thekson se zhvillimi i mëtejshëm i virusit SARS-COV-2 nuk mund të parashikohet me siguri. Por këto parashikime ndihmojnë autoritetet në vend të parapërgatiten për çdo skenar të mundshëm dhe të reagojnë me efektivitet.