Berlini e akuzon gjigandin rus të gazit, Gasprom se po përpiqet të rrisë çmimin e energjisë, përmes reduktimit të furnizimeve ditore.
Kompania ruse e kontrolluar nga shteti njoftoi një ditë më parë se do e kufizonte gazin e dërguar në Gjermani, lëvizje kjo që u kritikua ashpër nga ministri gjerman i ekonomisë që e kritikoi si pretekst të pastër për të mbjellë pasiguri. “Ky është një vendim politik, jo një zgjidhje e justifikuar teknikisht. Është qartazi një strategji për të trazuar ujërat e për të rritur çmimet.”- tha Robert Habeck, minister gjerman i ekonomisë.
Në njoftimin e Gazprom, theksohej shkurtimi i dërgesave në 100 milionë metra kub në stacionin e kompresorit Portovaya “për shkak, sic thuhej aty, të kthimit të parakohshëm të njësive të pompimit të gazit nga riparimi nga Siemens”.
Habeck tha se aktualisht, mungesa në furnizimin me gaz mund të plotësohet nëpërmjet blerjes së gazit në treg, por kjo do të vijë me çmime të larta. Rregullatori i rrjetit të energjisë në Gjermani është duke vlerësuar situatën dhe ndikimin e mundshëm të një reduktimi të mëtejshëm të furnizimeve, siguria e të cilave megjithatë, sipas drejtuesve të tij, është ende e garantuar.
Gazprom zvogëloi po kështu edhe eksportet e gazit në Itali, e pohuar nga firma italiane e energjisë Eni, e cila tha se nuk ka marrë asnjë shpjegim për reduktimin, ndërsa është ndërprerë krejtësisht furnizimi për Poloninë dhe Bullgarinë.