Nga Mero Baze
Vëreni pak veten në vendin e Sali Berishës. Ka së paku më shumë se një vit që është i frustruar nga beteja e tij me SHBA dhe izolimin e Perëndimit në tërësi. Ka bërë një aksion të tërë politik, një farë kryengritje kundër Perëndimit brenda në opozitë, duke gjetur aty një “tradhtar” si bashkëpunëtor të Perëndimit dhe e ka “mundur” atë, duke bërë një parti me vete.
Sa herë ngre kokën, sa herë kërkon të bëjë diçka, sa herë përpiqet të përfillet nga të huajt dhe shqiptarët, të gjithë i kujtojnë se është armik i Perëndimit.
Të qenit anti-perëndimor, që në fakt është adrenalina e vërtetë e tij, i është kthyer në në të njëjtën kohë në makth, pasi i duhet ta mbajë brenda vetes dhe jo t’ua shtrojë si alternativë mbështetësve të tij.
Dje më në fund pati një rreze shprese në horizont. Një tuitter i Edi Ramës, që shprehte nervozizmin ndaj pengmarrjes së Bullgarisë ndaj dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i dha shpresën se mund të kishte një ditë shans të dukej gjysmë perëndimor, d.m.th. vetëm pro evropian.
Thirri me urgjencë njerëzit e tij, porositën me urgjencë një sallë në një hotel luksoz në Yiranë, mblodhi një tufë rraqesh të vjetra që i quan herë gazetarë, herë shoqëri civile e herë ekspertë, dhe më në fund u ndje i çliruar.
Armiku i tij kryesor Edi Rama, po i jepte shansin të paktën të shfaqej pro evropian.
Ani pse asnjë ambasador i BE, nuk i shkon në zyrë, askush nuk e përfill, të gjithë e paralajmërojnë grupimin e tij politik se do ta izolojnë njësoj si SHBA, ai kishte vendosur sot, të dukej pro evropian.
Shkaku këtë radhë ishte se Edi Rama po qortonte Bashkimin Evropian pse nuk i bënte presion Bullgarisë për veton e saj ndaj dy vendeve të Ballkanit.
Dhe nisi të flasë. Natyrisht siç e ka zakon, nuk ishte e nevojshme t’u referohej fakteve dhe as kontekstit të reagimit të Edi Ramës ndaj vetos bullgare. I mjaftonte vetëm ideja se ai kishte shansin të dukej pro evropian dhe nisi fjalimin e tij, një përrua psikik, që një lider, edhe sikur të kesh brenda Evropës, duhet ta nxjerrësh jashtë saj, nëse pretendon se përfaqëson një vend evropian.
Por nuk ishte e thënë. Sapo ishte në kulmin e dallgëve të përroit të vet psikik, një tuitter i komisionerit për Zgjerim në BE, njoftoi se lideri i opozitës bullgare mbështeti kryeministrin në heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Edi Rama konfirmoi pjesëmarrjen në mbledhjen e Brukselit, që mbahet nesër më 23 qershor, me shpresë se negociatat do të hapen.
Shumë nga folësit që kishin bërë fjalimet gati, mbetën pa folur. Vetë tonet e tij ranë dhe zhgënjimi ndaj Evropës ishte dhe më i madh në portretin e kalbur të tij, se sa është në të vërtetë brenda tij.
Zhgënjimi i tij ishte i ligjshëm, pasi nuk e lejuan as të bënte sikur ishte me Perëndimin.
Mund të kishin së paku mëshirë për faturën e hotelit dhe ta kishin lënë të mbaronte atë seminarin. Por nuk ishte e thënë. Nuk e lanë të ishte as gjysmë ore pro evropian.