Në një intervistë ekskluzive për DW, Arben Kraja, kreu i SPAK thotë se institucioni që ai drejton, heton i pavarur e nuk ndikohet nga presionet e politikës dhe tregon hartën e shpërndarjes së krimit shqiptar nëpër botë
DW: Z.Kraja, para pak ditësh ka pasur një operacion të rëndësishëm nga SPAK, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit. Pati disa urdhër-arreste, disa persona në kërkim, të akuzuar për ngjarje shumë të rënda kriminale, mes tyre dhe emra punonjësish policie dhe avokatësh. Pa dashur të përmend emra dhe raste specifike, sa e lidhur është krimi apo bota e krimit në Shqipëri me njerëz që janë pjesë e gjyqësorit?
Arben Kraja: Ajo (operacioni “Golden Bullet) ishte një çështje shumë e rëndësishme dhe është një çështje përsëri, sepse vazhdon hetimi dhe duhet të më kuptoni që jemi pak të kufizuar për të dhënë informacion. Megjithatë ajo që mund të them është që kishte një numër të konsiderueshëm vendimesh të miratuara nga gjykata, të cilat kanë konfirmuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vendin tonë në 10 vitet e fundit. Prandaj ne e vlerësojmë shumë të rëndësishme. Pa dyshim që bashkëpunimi me policinë ka qenë shumë i mirë, çështja vazhdon dhe jemi të bindur që do t’i shkojmë deri në fund. Pyetja juaj, nëse ka lidhje të krimit me drejtësinë apo struktura të tjera: nga hetimet tona dalin vazhdimisht lidhje të tilla, sepse kuptohet që gjithmonë krimi mundohet që korruptojë sistemin e drejtësisë për të shpëtuar nga ndjekja penale. Apo mundohet të korruptojë sisteme të pushtetit apo të administratës, për të përfituar diçka në mënyrë të padrejtë. Këto dalin herë pas here në hetime, pa diskutim. Janë edhe të provuara.
DW: Pritshmëria e njerëzve është që të keni rezultate më konkrete. Do të keni në të ardhmen rezultate konkrete?
Arben Kraja: Nëse flasim në përgjithësi dhe jo vetëm për këtë çështje, rezultatet konkrete janë të vazhdueshme e kanë ardhur gjithmonë në rritje. Struktura është konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme në dy vite e gjysmë aktivitet. Kjo shihet qoftë nga numri i procedimeve të regjistruara, nga numri i vendimeve të dënimit por sidomos nga numri dhe vlera e konsiderueshme e pasurive të konfiskuara që kanë kaluar në favor të shtetit.
DW: Gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për ju, si drejtues i SPAK?
Arben Kraja: Sfida më e madhe ka qenë pa diskutim ngritja e strukturës, sepse kemi filluar pothuajse gjithçka nga zero, dhe pritshmëria e publikut, sepse ishin në disproporcion me njëra-tjetrën: Pritshmëri shumë e madhe dhe shumë problematika e shumë punë për ta krijuar strukturën. Megjithatë ekipi ka punuar në mënyrë perfekte, me ato mungesa që kemi pasur, me ata njerëz që kanë qenë, dhe ka ardhur gjithnjë në rritje, më i konsoliduar e duke prodhuar një produkt më cilësor.
DW: Ka kjo strukturë ende mungesa?
Arben Kraja: Përsëri ka mungesa. Numri i prokurorëve nuk është plotësuar, numri i hetuesve është gjysmë për gjysmë. Por jemi drejt fundit dhe besoj që brenda këtij viti do të konsolidohet plotësisht, nga pikëpamja e numrit të punonjësve.
DW: Z.Kraja, si ka ndryshuar numri i dosjeve dhe rasteve që ju merrni, nëse krahasohet me fillimet e punës së kësaj strukture?
Arben Kraja: Ne në fillim kemi gjetur një numër shumë të madh dosjesh të trashëguara nga ish-prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat patjetër që duhet t’i nënshtroheshin procedurave përkatëse. Por ka pasur dhe numër vazhdimisht në rritje kallëzimesh, nga individë apo nga struktura të ndryshme. Kuptohet, nisur nga ideja e pritshmërisë nga një strukturë e re që do të funksionojë më mirë se strukturat e mëparshme. Në këtë sens, ka një problematikë me kompetencën, sepse jo çdo gjë që njerëzit kërkojnë është kompetencë e SPAK-ut. Dhe në njëfarë mënyre jemi munduar që t’i japim drejtimin e duhur, duke i sqaruar që duhet të shkojnë në një institucion tjetër apo prokurori tjetër dhe duke u dhënë zgjidhje. Por tendenca është gjithmonë në rritje, qoftë i kallëzimeve që vijnë por edhe i procedimeve që ne regjistrojmë.
DW: Për çfarë denoncojnë më shumë shqiptarët?
Arben Kraja: Problematika që lidhen me pronat, janë të pafundme. Problematika që lidhen me abuzimet e administratës, me prokurimet publike, dhe pastaj vijnë problematikat që lidhen me krimin e organizuar.
DW: Ju jeni prej shumë vitesh pjesë e gjyqësorit dhe në këto vite keni mbajtur edhe një detyrë të rëndësishme. Mendoni se ka ndryshuar formë krimi i organizuar në Shqipëri? Është bërë më sfidues që ta luftosh?
Arben Kraja: Krimi i organizuar ka ardhur duke u konsoliduar, patjetër. Sidomos e shohim dhe jashtë vendit aktivizimin e tij. Shohim grupe të strukturuara kriminale, të ndërthurura me grupet kriminale të vendeve të tjera. Pra, ka ardhur duke u konsoliduar, por dhe shteti duhet të konsolidojë goditjen e tij. Në këtë sens, ne jemi munduar të rrisim në mënyrë të vazhdueshme së pari besimin e partnerëve në raport me punën që ne bëjmë, e pastaj të punojmë e të koordinohemi me ta në mënyrë të vazhdueshme. Mund t’iu them që për vitin 2021, krahasuar me 2020-ën, është trefishuar numri i kërkesave për ndihmë juridike që ne kemi nga jashtë apo raportet proceduriale me partnerët ndërkombëtare.
Hetimi i dosjeve të bujshme si “Inceneratorët”, “21
DW: Mund të thoni një shtet me të cilin bashkëpunoni më shumë?
Arben Kraja: Kemi vendosur kontakte që në fillim me Italinë, pa diskutim, sepse jemi më afër. Kemi kontakte të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Por bashkëpunojmë me Holandën, me Gjermaninë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Belgjikën. Kemi vendosur kontakte të drejtpërdrejta me EuroJust si dhe me rajonin si Kosovë, Maqedoni e Veriut, Rumani.
DW: Duke qenë se harta është e shtrirë në shumë vende të globit, a ju vjen në ndihmë Byroja Kombëtare e Hetimit në punën tuaj?
Arben Kraja: Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e pavarur e jona, që funksionon në varësi të Prokurorit të Posaçëm dhe pa diskutim është struktura kryesore me të cilën ne duam të japim produkte. Por nisur nga procedurat që kishte ligji dhe kohëzgjatja e nevojshme për ngritjen e kësaj strukture, jemi tani në momentin që po trajnohet grupi i dytë i hetuesve dhe besoj në korrik duhet të fillojë punë edhe grupi i dytë, kështu që bëhet i plotë grupi në dispozicion të prokurorëve dhe sigurisht që do të ketë një rritje të produktit dhe cilësisë së punës tonë.
DW: Z.Kraja, ka interes të lartë nga publiku për dosje si inceneratorët, “21 Janari”, “Gërdeci”. Madje për dy të fundit kryeministri i vendit ju ka bërë apel që të hetoni z.Berisha e z.Meta. A ndiheni ju i shantazhuar nga këto apele që bëjnë politikanët? A bën presion politika në punën tuaj të përditshme?
Arben Kraja: Prokurorët kanë përpara dosjet dhe vlerësojnë provat. Ky është koncepti ligjor dhe këtë bëjmë çdo ditë. Jo vetëm politika, por ne dëgjojmë çdo ditë njerëz që ankohen, që pretendojnë që duhet hetuar ky rast apo ai rast. Janë në kuadrin e atyre informacioneve që vijnë për t’u vlerësuar. Por e rëndësishme është që secili ka dosjen përpara, është i pavarur në vendimmarrjen e tij dhe vlerëson vetëm provat që janë administruar. Për të gjitha rastet që janë nën hetim apo që vazhdon hetimi, ne kemi dhënë herë pas here njoftime publike dhe kur të ketë një zgjidhje përfundimtare ne do të japim përsëri njoftimin zyrtar se çfarë është bërë me atë rast.
DW: Një pyetje e fundit! Mendoni se deri në fund të mandatit tuaj do t’i përmbushni pritshmëritë e shqiptarëve? Do të ketë politikanë të niveleve të larta që do të shkojnë pas hekurave?
Arben Kraja: Mandati im është i lidhur me një periudhë të caktuar kohore. Por ju po kërkoni që të vlerësohen pritshmëritë e publikut për një periudhë 30-vjeçare dhe mungesat që ka pasur publiku, në një periudhë 2 ose 3-vjeçare. Besoj jemi të ndërgjegjshëm që kjo s’mund të bëhet dot. E rëndësishme është që struktura është krijuar, është konsoliduar, është në rrugën e duhur dhe forcohet përditë e më shumë. Kështu që në vijimësi do të ketë rezultate./DW