Një ditë pas aksidentit tragjik, ku nënë e bir humbën jetën pas rënies në lumin Osum, Drejtoria e Shërbimeve pranë Bashkisë Berat ka filluar punën për riparimin e kangjellave në anë të trotuarit të rrugës urbane “Antipatrea”, ku makina që po drejtonte 25-vjeçarja ra në lumë.

Një nga specialistët, punonjës i mirëmbajtjes në Bashkinë Berat, Kosta Angjeliu shprehet se kangjellat në anë të trotuarit kanë funksion mbrojtës për këmbësorët, jo për automjetet. Ai thotë se barrierat metalike vendosen vetëm në rrugë nacionale, autostrada dhe jo këtu në mes të qytetit.

“Unë në ndërtim kam 43 vjet punë. Janë thjesht kangjella, kjo nuk përballon rrugën nacionale, janë vetëm për këmbësorin. Janë të nevojshme, kjo nuk shërben barrierë për makinat. Mos duhej më të forta? Jo jo këto janë normale, kështu bëhen. Barrierat bëhen kur nuk ka trotuar. Kjo pjesa më parë ka qenë me hekur, u bë me parmak betoni, pastaj koha evoluoi dhe u bë këto që janë sot. Kanë funksion vetëm për këmbësorin, nuk është barrierë që mund të vendoset në një autostradë”, tha ai.

Sipas burimeve nga Policia Rrugore në Berat mësohet se aksidenti është shkaktuar si pasojë e humbjes së kontrollit nga ana e drejtueses së mjetit dhe paaftësia e saj për të manovruar me mjetin pasi sipas burimeve po të ekspertëve qarkullimit 25-vjeçarja kishte vetëm 20 ditë që kishte marr patentën. Ndërsa sipas ekspertizës mjeko ligjore vdekja është shkaktuar nga mbytja, pas një qëndrimit për një kohë të gjatë në ujë.

25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj humbi jetën një ditë më parë me të birin, teksa po ktheheshin nga shkolla, por për fat të keq makina me të cilën po udhëtonin përfundoi në Lumin Osum. Report Tv siguroi videon e aksidentit, ku shihet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar i të resë, e cila në tentativë për t’iu shmangur një kamioni përfundoi në lumë.

Qytetarët bënë përpjekje për t’i nxjerrë nga makina, pasi kjo e fundit përfundoi në lumë, por pa rezultat, pasi fatkeqësisht nënë e bir u mbytën.