Një vatër e madhe zjarri u regjistrua në rrethinat e Athinës pasditen e së shtunës, duke djegur dhjetëra makina e shtëpi, pasi flakët u ndihmuan të përhapeshin me shpejtësi dhe nga era e fortë.

Autoritetet ndërhynë që në momentet e para të zjarrit në Voula, duke evakuuar menjëherë rezidentët, por edhe të moshuarit nga azilet, për të shmangur humbjet e jetëve, por dëmet materiale janë me të vërtetë të pallogaritshme.

Fatmirësisht, nuk u regjistruan persona të lënduar, përveç një zjarrfikësi që pati probleme me frymëmarrjen.

Për vënien e zjarrit në kontroll u angazhuan më shumë se 130 zjarrfikës, të ndihmuar nga 6 avionë, 4 helikopterë dhe banorët e zonës.

Greqia është në gatishmëri këtë vit pasi vendi u përfshi nga disa zjarre në disa fronte vitin e kaluar që qëndruan aktive për javë të tëra, duke djegur shtëpi dhe qindra mijëra hektarë pyje.

Zyrtarët e Komisionit Evropian njoftuan të enjten se më shumë se 200 zjarrfikës dhe pajisje nga rreth gjashtë vende të BE-së do të vendosen në Greqi këtë verë për të ofruar mbështetje të menjëhershme për zjarret.