Prej tre ditësh, ishulli i Sazanit është në betejë me flakët dhe situata vijon të jetë shqetësuese. Zjarri është aktiv në një sipërfaqe te konsiderueshme në pjesën lindore të ishullit përballë qytetit të Vlorës. Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe vijojnë të digjen edhe gjatë kësaj të hëne. Gjatë mbrëmjes, Forcat e Armatosura kanë luftuar me flakët të mbështetur edhe nga ADZM, por shuarja e zjarrit ka qenë e pamundur, raportoi gazetari i Report Tv Armand Xhelili.

Ditën e sotme flakët vijojnë dhe pritet që në ishullin e Sazanit të nisen edhe punonjës së zjarrfikëses. Po ashtu një rrezik evident në ishull janë dhe municionet e mbetura të cilat shpërthejnë nga zjarri. Report TV raporton se vetëm ditën e djeshme në Ishullin e Sazanit janë gjendur 3 predha të paplasura. Referuar burimeve, në Sazan ka ende municione, duke e bërë të rrezikshme situatën për shkak të flakëve.

Dyshohet se shkak i zjarreve në Sazan janë papërgjegjshmëria e pushuesve që shkojnë me mjete të vogla dhe pa leje, ndezin zjarre për ushqimet e tyre.