Të paktën katër njerëz raportohet se kanë humbur jetën dhe më shumë se 300 të tjerë janë plagosur, pas shembjes së një pjese të tribunës së ngritur për të ndjekur një garë me dema në qendër të Kolumbisë.
BBC ka publikuar një video ku shihet që tribuna prej druri, me tri nivele, dhe e mbushur me spektatorë, shembet në stadiumin El Espinal.
Në pamje se si njerëzit lëvizin dhe ikin të zënë në panik.
Ky event tradicional, i njohur në Kolumbi si “correlaja” përfshin edhe pjesëtarë të publikut, të cilët duhet të hyjnë në ring për të tërhequr vëmendjen e demave.
Në mesin e të vdekurve janë dy gra, një burrë dhe një fëmijë, ka thënë guvernatori i Tolimas, Jose Ricardo Orozco.
Autoritetet shëndetësore rajonale kanë thënë se 322 njerëz janë duke u trajtuar, ndërsa katër prej tyre janë në kujdes intensiv.
Organizimi i së dielës ka qenë pjesë e festivalit shumë të njohur San Pedro.
Presidenti në shkuarje Ivan Duque, ka thënë se do të ketë hetime për rastin, derisa presidenti i zgjedhur, Gustav Petro, u ka bërë thirrje autoriteteve lokale që të ndalojnë organizime të tilla.
“U kërkoj kryetarëve që të mos lejojnë më shumë organizime që përfshijnë vdekjen e njerëzve apo kafshëve”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që kanë ndodhur incidente të tilla.