Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha mbrëmjen e së hënës se gjuha e përdoru nga Sali Berisha e ka ‘ndotur’ ambientin e Parlamentit.
Duke folur për emisionin ‘Kontrast’ në Report TV, Spiropali shtoi se Partia Socialiste nuk ka ndërmend t’i përgjigjet Berishës dhe mbështetësve të tij me të njëjtën gjuhë pasi aleancën ajo e ka me publikun.
“Opozita është në një situatë të vështirë dhe katandisje që ka filluar të ndikojë edhe aromën në Parlament. Po të shihni është gjuha tipike e Sali Berishës që ka infektuar edhe plot të tjerë. Me njerëz që nuk kanë dalë nga emancipimi i ulët politik e ke gjithmonë e më të vështirë e të komunikosh. Por ne kemi parasysh që përballë së pari kemi publikun. Nuk do të ketë asnjë shans që Partia Socialiste të transformohet në atë nivel në skenën politike apo në qeverisje” – tha ajo. Spiropali ironizoi edhe shpalljen e frontit të ri opozitar nga Sali Berisha. Në ‘Kontrast’ ministrja deklaroi se ky front mund të kishte shumë mirë disa emra që përkojnë me sjelljen e PD dhe LSI.
“Mund t’i sugjeronim Aleanca e Gjirit të Lalzit apo Aleanca e Sovranistëve Shqiptarë. Sepse kanë shpallur sovranitetin ndaj partnerëve amerikanë, edhe pse atyre u kemi borxh ekzistencën e dy shteteve shqiptare që kemi sot. Unë e shoh frontin e ri opozitar si ‘utupia’ (Ushtria e Turpit te Ushtarve Pa Ide e pa Atdhe)” – tha Spiropali. E pyetur për ndryshime të mundshme në qeveri, ministrja u shpreh se ekipi aktual është në formë. Sipas Elisa Spiropalit, Partia Socialiste është e gatshme në çdo moment që të formojë një kabinet të suksesshëm qeveritar, fal burimeve njerëzore që ka.
“Unë i shoh ministrat në formë. Qeverinë e shoh të motivuar, Kryeministrin dhe ekipin. Pastaj ne jemi lojtarë që kur japim shenja lodhjeje vjen dikush tjetër në cabinet. Partia Socialiste i ka të gjitha kapacitetet për të formuar në çdo moment një qeveri shumë të mirë” – tha Spiropali në panelin e ‘Kontrast’ me gazetarët Lorenc Vangjeli e Denis Minga.