Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kërkon nga Bashkimi Evropian që t’i bëjë presion Serbisë që të njohë Kosovën.

Moisiu, në një intervistë thotë për KosovaPress, deklaroi se pas agresionit rus në Ukrainë dhe mosvendosjen e sanksioneve nga Serbia, Bashkimi Evropian nuk duhet të përkëdhelë Serbinë.

“(Serbët) e kanë të vështirë këtë (njohjen reciproke), nuk po hy arsyet pse, ata e dinë më mirë. Por ai është maksimumi që ne kërkojmë, prandaj duhet hap pas hapi. Këtë punë Evropa e ka në dorë më shumë se kushdo për të shtrënguar Serbinë dhe mos të përkëdhelin. Pasi e kanë përkëdhelur deri tani, konsideronin se më mirë është me pas këndej Serbinë se nga Rusia”, thotë ai.

Megjithatë, ai shton se Kosova duhet t’i bashkëngjitet iniciativës rajonale “Ballkani Hapur”.

“Amerika dhe Bashkimi Evropian e thanë troç se këtu nuk bëhet fjalë për zgjidhje politike, është çështja te zgjidhja e problemeve ekonomike. Pasi problemet politike do të vazhdojnë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe BE-së… ‘Ballkani i Hapur’ ka rol ekonomik, Kosova duhet t’i bashkëngjitet, pasi Kosova bën tregti me Serbinë, pavarësisht se mund të ketë ra, por vazhdon. Duhet të zgjidhen të gjitha problemet, por pikësynimi është se as ju dhe as ne nuk heqim dorë nga pavarësia e Kosovës dhe njohja e reciproke. Pasi s’mundet të vazhdojë kjo në pafundësi në konflikt të ngrirë. Prandaj edhe kancelari gjerman e thekson me të madhe këtë punë”, përfundon Moisiu.