SHKRUAR NGA RIGELS SELIMAN
Vizita e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta në Azerbajxhan duket se nuk është e rastësishme. Ndër vite dhe sidomos gjatë qeverisë “Berisha 2” 2009-2013, ish-kryeministri dhe presidenti në ikje kanë bashkëpunuar shumë fort me njëri-tjetrin, pasi përveçse ishin në një koalicion qeveritar, janë lakuar edhe se kanë abuzuar me pronat dhe pasuritë e shqiptarë. Disa nga aferat që dyshja Meta-Berisha përflitet se janë përfshirë, janë CEZ-DIA, privatizimi i KESH, apo edhe privatizimi i ARMO-s dhe lejimi i gazsjellësit TAP, projekt ky për të cilin veçanërisht mbi Berishën ka shumë akuza, madje edhe nga oligarkët rus. Por sa i takon privatizimit të ARMO-s, edhe Meta është përdorur si i përfshirë dhe gjithashtu ish-ministri Genc Ruli. ARMO në qeverinë “Berisha” e kishte në administrim biznesmeni Rezart Taçi, i cili më pas ua shiti atë biznesmenëve nga Azerbajxhani, të cilët kanë lidhje të forta me presidenti Ilham Aliyev. Kështu që nisur nga këto detaje ku në qeverinë PD-LSI biznesmenë nga Azerbajxhani janë favorizuar, por edhe zërave se Berisha dhe Meta kanë lidhje të forta me shtetin kufi me Rusinë, vizita e tyre në Baku, duket se nuk ka pasur si qëllimi Forumin e IX-të Global, por ka qenë një vizitë private dhe se ata janë shfaqur në konferencë sa për sy e faqe. Mësohet se në kushtet kur amerikanët i kanë vënë përpara dhe ndërkohë që po kërcënohen nga SPAK për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion dhe krim, mësohet se Meta dhe Berisha i kanë kthyer sytë pikërisht nga vendet e Lindjes, për të gjetur strehë dhe pse jo të fshehur paratë e tyre. Mësohet se Berisha dhe Meta, në Azerbajxhan, kanë hedhur edhe idenë se në rast se do të ndihen në presion nga drejtësia dhe ndërkombëtarët, të marrin azil në vendin që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë. Pra, presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha, me vizitën në Azerbajxhan, kanë shkuar me mision të qartë, duke barë pazare me autoritetet në Baku, pika e dobët e së cilëve është Presidenti Aliyev, të cilin e kanë favorizuar kur kanë qenë në pushtet, duke iu dhënë shumë favore ekonomike oligarkëve azerë. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do ndodhë më konkretisht.
Meta takon presidentin Aliyev
Ndërkohë në kuadër të vizitës në Baku, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ekziston për forcimin e gjithanshëm të tyre në fushat me interes reciprok. Ndërkohë presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e dhënë nga Azerbajxhani, si dhe nga Presidenti Aliyev për ndërtimin dhe zbatimin e suksesshëm të gazsjellësit TAP. “Presidenti Meta theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që merr gazsjellësi TAP për sigurinë energjitike të Europës, në kontekstin e zhvillimeve të fundit, si burim alternativ energjie. Në këtë kuadër, të dy Presidentët vlerësuan nevojën jetike të fuqizimit të mëtejshëm të TAP, si dhe të zbatimit të shpejtë të projektit IAP (Gazsjellësi Adriatiko-Jonian), që do të sillte një impakt më të madh për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Në bisedën e frytshme u nënvizua me shumë interes thellimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit, si dhe rritja e mëtejshme e shkëmbimeve midis dy vendeve”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.
Berisha akuza Sorosit
Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi në Forumin e IX-të Global në Azerbaixhan se nisma ‘Ballkani i Hapur’ është një interes i fortë rus. Berisha deklaroi se George Soros ka qenë i pranishëm në çdo takim ndërsa theksoi se s’dihet ku qëndron lidhja e tij me Rusinë, por është shumë shqetësuese. Ai shtoi se SHBA-të kanë qenë dhe janë aksioneri kryesor për zbutjen e konflikteve në Ballkan dhe BE, e po ashtu shtoi se ne duhet të zgjidhim problemet tona me fqinjët duke theksuar se s’kemi pse t’i çojmë ato në BE. “Ballkani i Hapur fatkeqësisht mbështetej fuqishëm nga Soros, në çdo takim ai ka qenë i pranishëm dhe në fakt kemi një përshtjellim për të kuptuar se çfarë lidh ambiciet e Rusisë në rajon dhe projektet e Soros, nuk di ku qëndron lidhja, por di të them që është shqetësuese dhe duhet të ndalet. Marrëveshja mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë është thelbësore. Procesi pas 10 vitesh që mbetet një proces europian duhet të jetë proces europian dhe i lidhur me SHBA. SHBA-të kanë qenë dhe janë aksioneri kryesor në zbutjen e konflikteve në rajon, janë aksioneri kryesor në sigurimin e Ballkanit dhe Europës. SHBA-të janë të rëndësishme të jenë këtu së bashku, nuk përjashtoj BE-në, por të jenë së bashku. Duhet të ketë një marrëveshje gjysmë të imponuar, nëse shohim që të gjitha marrëveshjet e 150 viteve të fundit në Ballkan, gjeni se asnjë prej tyre nuk është gjysmë e imponuar. Kjo do ishte e dobishme për rajonin sepse ne i kërkojmë shumë BE-së, problem është se s’mund ti eksportojmë problemet tona brenda BE. Të zgjidhim problemet tona dhe vendet e tjera nuk kanë arsye të trajtojnë problemet tona brenda BE. Këto ishin komentet e mia”, deklaroi Berisha./Sot