Zërat se Gjykata do t’i heqë me ligj të drejtën “Foltores” për të drejtuar Partinë Demorkatike, drejtësia e re që pritet t’iu kërkojë llogari për aferat korruptive dhe kriminale që lakohen, si dhe vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mos bashkëpunuar me asnjë të korruptuar, duket se do të çojnë presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha drejt vendimit për të shkrirë “ Shtëpinë e Lirisë” dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim në një trup të vetëm. Gazeta ka mësuar se në prapaskenë mbështetës të Berishës dhe Metës po punojnë shumë fort dhe po përgatitin terrenin, në mënyrë që kjo dyshe të shkojë drejt një koalicioni si ai i “Shtëpisë së Lirisë”. Mësohet se kjo lëvizje e tyre, ka ardhur si rezultat i presionit të madh të amerikanëve dhe drejtësisë së re, se të korruptuarit do ta kenë punën pisk, por edhe fakti se Gjykata mund t’i heqë të drejtën Berishës të drejtojë Partinë Demokrtike, apo edhe sinjaleve se Meta mund të shpallet “non grata” nga SHBA, pasi të largohet nga Presidenca.

Shtëpia e Lirisë” do shkrihet me LSI

Meta dhe Berisha janë personazhe për të cilët ekzistojnë një duzinë akuzash dhe dosjesh komprometuese, sikundër janë ato korruptive, apo edhe me sfond kriminal e abuzimi si “Gërdeci”, “21 Janari”, kompleksi “Partizani”, apo afera e presidentit me lobimin e 700 mijë eurove në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që ata po përpiqen dhe po lëvizin gjithë gurët për t’i dhënë vetes së tyre imunitet. Dhe ku ka më mirë se imuniteti politik. Në këtë kontekst, gazeta mësoi nga burime pranë ish-kryeministrit dhe presidentit në ikje se ata të dy kanë arritur dakordësinë që “Foltoren” dhe LSI-në, t’i shkrijnë në një trup të vetëm, e madje ka zëra se këtë ftesë ua kanë bërë edhe disa partive të tjera satelite në opozitë. Qëllimi i këtij plani, është që Meta të marrë drejtimin e opozitës dhe Berisha të jetë bashkëkryetar me të për pak kohë, pasi ai iu ka premtuar mbështetësve të tij, se do largohet nga politika dhe se gjithë këtë zhurmë që bëri deri tani e ka bërë nga inati që ka ndaj amerikanëve dhe për hallin e tij personal. Pra, në kushtet kur po shohin çdo ditë që po iu kërcënohen pozitat, Meta dhe Berisha kanë arritur një marrëveshje fluide me njëri-tjetrin, që të krijojnë një parti të re, me copëza të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe “Shtëpisë së Lirisë”. Mësohet se këtë parti ata do ta përdorin si “snajper” ndaj kundërshtarëve, sikundër janë SHBA dhe SPAK, ndërkohë që përmes ekzistencës së saj, ata do të provokojnë edhe rrëzimin e qeverisë “Rama 3”, përmes protestave, kaosit, revoltave dhe destabilitet, të ndihmuar edhe nga aktorë të tretë të huaj, si Rusia. Thënë troç, pasi Ilir Meta të largohet më 24 korrik nga Presidenca , ai do të bashkohet me Berishën, por fillimisht pritet të marrë drejtimin e LSI, zyrtarizimi që do të bëhet gjatë punimeve të Konventës së kësaj partie që do mbahet në 25 korrik.

Ithtarët e Berishës paralajmërojnë bashkimin me LSI

Megjithatë sinjale se ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti në ikje, Ilir Meta kanë dhënë edhe deputet të “Foltores”. Ka qenë deputeti dhe njëherazi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili gjatë kësaj jave është shprehur se PD i ka marrëdhëniet e shkëlqyer me LSI-në. Në një intervistë për mediat, Noka u shpreh se LSI-së është aleati kryesor i PD-së në përballje me regjimin e Edi Ramës. “Me LSI kemi një marrëdhënie të shkëlqyer e kemi pasur që në fillim të lëvizjes, vazhdojmë ta kemi dhe të jeni të sigurt që do ta kemi. Është aleati kryesor i PD-së në përballje me regjimin kriminal dhe korruptive të Edi Ramës. Ka peshën kryesore në raportin e PD-së me aleatët. Sigurisht që ka edhe respektin maksimal të PD”, deklaroi Noka.