Samiti mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit perëndimor u mbajt javën e kaluar. Megjithatë, vetëm disa nga dakordimet politike të liderëve të 27 vendeve anëtare, u panë pas atij samiti. Një prej tyre ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE të Ukrainës, Moldavisë dhe me disa përmbushje të kritereve, edhe Gjeorgjisë. Kështu, 27 vendet anëtare dështuan të pajtohen që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, t’i jepet data e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.
Sidoqoftë, Parlamenti Evropian të hënën ka mbajtur në Bruksel, një seancë në lidhje me zhvillimet e fundit pas këtij samiti. Në këtë seancë, temë ishte “Politikat e Zgjerimi i BE-së pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainë”.
Për këtë arsye, Olivér Várhelyi, komisionari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, iu adresua Parlamentit Evropian, duke i njoftuar ata me rezultatet e këtij samiti.
“Jemi të përkushtuar që ta sjellim tërë rajonin në BE. Është më shumë se kurrë e rëndësishme që jo vetëm të lëvizim shpejt por të vendosim tërë përkushtimin dhe dëshirën e të gjitha institucioneve”, tha Oliver Várhely, Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, raporton RTKlive.
Ai tha se mbështetja do të vazhdohet për vendet e Ballkanit perëndimor duke përdorur mekanizmat e BE-së si në ato të sigurisë, ashtu edhe në ato ekonomike, si rrjeti i gazit.