Tirana do t’i shesë yjet vetëm pas Europës. Ky është vendimi i klubit. Kështu, bardheblutë prej kohësh kanë kërkesa për Taulant Seferin.
Ofertat janë nga më të ndryshmet, por klubi do që shitja e lojtarëve të mos jetë në nxitim e sipër.
Klubi i Tiranës dëshiron që të privohet nga sulmuesi, nëse të interesuarit paguajnë çmimin e duhur për të marrë shërbimet e futbollistit bardheblu, i cili është pjesë e Kombëtares dhe shkëlqeu këtë sezon në Superiore.
Sipas saj që mëson “Panorama Sport”, drejtuesit mendojnë që Seferin ta shesin pas Europës, sepse një paraqitje tjetër e mirë e sulmuesit do të thotë rritja e vlerës në treg.
Presidenti Refik Halili është shprehur se Seferin nuk e lë, nëse blerësi nuk paguan të paktën 1 milion euro. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë në javët në vazhdim.
Tirana aventurën në Europë e mbyll në fund të korrikut në rastin më të keq dhe nëse shkon në grupe gjërat ndryshojnë, sepse më pas ridimensionohen.
Qartë dhe saktë, sulmuesi nuk do të falet lehtë nga kampionët e Shqipërisë.
Seferi këtë vit ishte një nga dribluesit më të mirë të Superiores si dhe ka një numër mbresëlënës të pasimeve kyçe.
Lojtari ka kohë që është në qendër të vëmendjes prej skuadrave të ndryshme.
Mësohet se ofertat e para janë diku te 500 mijë euro.
Gjithsesi, një gjë është e qartë, me këtë pozicion të Seferit, kalimi i tij në një skuadër tjetër është pothuajse i garantuar, ndërsa ofertat mund të jenë edhe më të larta pas Europës.
Seferi u shpall kampion i Shqipërisë këtë sezon me bardheblutë e kryeqytetit, teksa u aktivizua gjithsej në 35 ndeshje ku shënoi dhe 19 gola.
Faqja e specializuar e statistikave, “Transfermarkt”, ka listuar lojtarët me vlerat më të larta në treg, teksa kjo listë kryesohet nga sulmuesi i Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, Taulant Seferi, i cili aktualisht vlen 650 mijë euro.