Raportime të shumta, nga Ukraina por jo vetëm, tregojnë se vullneti i ushtarëve rusë për të qenë pjesë e luftës në Ukrainë, nuk është në nivelet e duhura, me dëshmi se disa prej trupave janë duke bërë gjithçka vetëm që të mos jenë pjesë e vijës së parë të frontit, madje edhe martesa të rreme.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), vetëm një në dhjetë ushtarë ukrainas është i gatshëm të luftojë.
“Pushtuesit rusë kanë aq frikë nga forcat e armatosura ukrainase sa që vetëm 1 në 10 prej tyre është gati për një konfrontim të drejtpërdrejtë me ushtarët ukrainas. Këtë e dëshmon një bisedë e re telefonike mes pushtuesve, e cila është përgjuar nga Shërbimi ynë”, tha SBU.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës ka cituar fjalët e një ushtari me bashkëshorten e tij, gjatë një bisede e cila është përgjuar.
“Shumë hoqën dorë. Tridhjetë veta nga i gjithë batalioni shkuan në betejë. Vetëm tridhjetë veta nga i gjithë batalioni. Tridhjetë! Mund ta imagjinoni?”, mësohet të jetë shprehur ushtari.
Sipas SBU, çdo batalion zakonisht ka nga 300 deri në 900 ushtarakë.
Kujtojmë se më parë autoritetet e inteligjencës së Ukrainës kanë raportuar për një bisedë të regjistruar të një tjetër ushtari rus, i cili duke folur me një mikun e tij ka zbuluar se i ka kërkuar një prej mikeshave të tij më të ngushta që të bënin një martesë të rreme, me qëllim që të shmangte frontin e luftës dhe të përfitonte nga “leja e muajit të mjaltit”.