Nga Jakin Marena

Një shtrëngim kortezie dore nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim, e bëri me “krahë” Ilir Metën, presidentin në detyrë të Shqipërisë. Dhe bashkë me të, edhe mediat afër tij ishin në delir, pasi e paraqitën me shpejtësi në publik si një ngjarje të madhe që kishte hapur rrugën për Metën drejt Amerikës. Apo siç e paraqitën mediatikisht se “Meta e kaloi oqeanin”.

Ndonëse Presidenti ndoqi skemën e “përballimit” të kësaj situate me qetësi, theksojmë të krijuar e sponsorizuar nga vetë ai për ta paraqitur para publikut si një ç’tensionim të marrëdhënieve të acaruara me Yuri Kim, njerëzit afër tij e amplifikuan aq shumë sa duket sikur u harruan “raketat amerikane që duan ta vrasin në Malin me Gropa”, apo edhe u hoq “dorë” nga “kapja për veshi e amerikanëve”, si dhe sjelljeve të tjera të sikletshme në raport me ndërkombëtarët të Ilir Metës në 5 vitet e tij në Presidencë.

Me sa duket lajmin e shtrëngimit të dorës nga ana e ambasadores Yuri Kim, në atë takim rutinor me të gjithë ish ministrat e Jashtëm të Shqipërisë ndër vite, kishte nisur ta besonte dhe vetë autori dhe sponsori i hedhjes së lajmit në tregun politik e mediatik dhe amplifikimit të tij, vetë Meta.

Realizoi disa dalje televizive në emisione të kërkuara me insistim e vetë atij, e bëri dhe objekt të disa emisioneve të tjera ku nuk ishte vetë prezent, dhe paraqitej si një diçka normale dhe s’kishte pse të bënte përshtypje, pasi marrëdhëniet me SHBA sipas Metës, ishin të shkëlqyera.

Ilir Meta arriti deri atje sa situatën e dekretit për zhgradimin e Presidentit të ri Bajram Begaj, nuk kishte nga të lëvizte për hir të së vërtetës, e paraqiti si frymë e normalitetit të bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke ngritur dhe “sentimentin” e Sali Berishës, aleatit të tij, i cili i dha “leje” që të bënte Presidentin normal, një skenar i përpiluar bashkarisht thjeshtë dhe vetëm për të qënë njëri prej tyre jashtë “listës” së “non gratave” nga SHBA.