Nga Jakin Marena/
Një shtrëngim kortezie dore nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim, e bëri me “krahë” Ilir Metën, presidentin në detyrë të Shqipërisë. Dhe bashkë me të, edhe mediat afër tij ishin në delir, pasi e paraqitën me shpejtësi në publik si një ngjarje të madhe që kishte hapur rrugën për Metën drejt Amerikës. Apo siç e paraqitën mediatikisht se “Meta e kaloi oqeanin”.
Ndonëse Presidenti ndoqi skemën e “përballimit” të kësaj situate me qetësi, theksojmë të krijuar e sponsorizuar nga vetë ai për ta paraqitur para publikut si një ç’tensionim të marrëdhënieve të acaruara me Yuri Kim, njerëzit afër tij e amplifikuan aq shumë sa duket sikur u harruan “raketat amerikane që duan ta vrasin në Malin me Gropa”, apo edhe u hoq “dorë” nga “kapja për veshi e amerikanëve”, si dhe sjelljeve të tjera të sikletshme në raport me ndërkombëtarët të Ilir Metës në 5 vitet e tij në Presidencë.
Me sa duket lajmin e shtrëngimit të dorës nga ana e ambasadores Yuri Kim, në atë takim rutinor me të gjithë ish ministrat e Jashtëm të Shqipërisë ndër vite, kishte nisur ta besonte dhe vetë autori dhe sponsori i hedhjes së lajmit në tregun politik e mediatik dhe amplifikimit të tij, vetë Meta.
Realizoi disa dalje televizive në emisione të kërkuara me insistim e vetë atij, e bëri dhe objekt të disa emisioneve të tjera ku nuk ishte vetë prezent, dhe paraqitej si një diçka normale dhe s’kishte pse të bënte përshtypje, pasi marrëdhëniet me SHBA sipas Metës, ishin të shkëlqyera.
Ilir Meta arriti deri atje sa situatën e dekretit për zhgradimin e Presidentit të ri Bajram Begaj, nuk kishte nga të lëvizte për hir të së vërtetës, e paraqiti si frymë e normalitetit të bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke ngritur dhe “sentimentin” e Sali Berishës, aleatit të tij, i cili i dha “leje” që të bënte Presidentin normal, një skenar i përpiluar bashkarisht thjeshtë dhe vetëm për të qënë njëri prej tyre jashtë “listës” së “non gratave” nga SHBA.
E teksa kishte nisur ta besonte dhe vetë Meta se marrëdhëniet e tij me SHBA ishin normalizuar, me atë shtrëngim kortezie dore nga ana e ambasadores Yuri Kim para takimit me ish ministrat e Jashtëm shqiptarë, situata ishte krejt ndryshe dhe kishte ndodhur sërish keqkuptimi i madh nga ana e kreut aktual të shtetit, por dhe për ata që e mbështesin.
“Testin” e bëri vetë Meta, i cili thjeshtë me një vizitë private në SHBA disa ditë më vonë nga “shtrëngimi historik i duarve me Kim” siç e cilësonin bashkëpunëtorët e tij më të afërt, dhe Presidenti aktual u bind sërish se institucionet në SHBA funksionojnë sipas disa parametrave normalë dhe institucionalë, ku takimet kortezisë kurrsesi nuk mund të paraqiten si marrëdhënie mes institucioneve. Madje as marrëdhënie mes personave, qofshin këta politikë apo më gjërë.
Metën në SHBA e priti vetëm një përfaqësues i një shoqate shqiptare në atë vend, dhe asnjë person tjetër as në nivel bashkiak në Nju Jork nuk u pa në takime me të. U shmang nga politika zyrtare amerikane me një fjalë.
Pa hyrë në detaje se kush e pagoi rrugën vajtje- ardhje të kreut të shtetit në SHBA, qëndrimin disa ditë atje pasi kushtojnë goxha para dhe meqë ishte private shpenzimet do t’i heqë vetë, nuk janë pak për një rrogtar shteti siç e deklaron veten familjarisht Presidenti, ajo që mund të theksojmë është se Ilir Metës iu rikthyen sërish makthet e refuzimit nga ana e politikës zyrtare amerikane.
I kaluan si në “revistë” shmangia nga axhenda e takimeve që i kanë bërë vitet e fundit Presidentit të Shqipërisë, të gjithë zyrtarët e lartë amerikanë, të cilët kanë vizuar Tiranën dhe janë takuar me kreun e qeverisë dhe kreun e opozitës zyrtare, deri te takimi me kreun e komanduar të PD që njihet zyrtarisht me letra, Enkelejd Alibeajn. Ndërsa Meta refuzohet në të gjitha rastet.
Vizita në SHBA, mungesa e takimeve zyrtare në këtë vend me sa duket e kthjelloi Ilir Metën, duke e bindur se kishte ndodhur një keqkuptim i madh nga ana e tij pas atij shtrëngimi kortezie duarsh me ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim. Dhe se në ndryshim nga Berisha që është shpallur familjarisht “non grata”, Meta kuptoi se për SHBA-të ai është një i “vdekur i pakallur”. Politikisht kuptohet, jo fizikisht larg qoftë.
Dhe për të liruar sadopak “valvulën” e izolimit, Ilir Meta gjeti një “okazion” për të lëvizur në një takim ndërkombëtar jashtë vendit, konkretisht në Baku të Azerbajxhanit, një takim që i duhej për ta paraqitur si fakt se ende trajtohet në forumet e mëdha ndërkombëtare si President. Ndonëse ishte i vetmi president në detyrë që merrte pjesë në këtë takim.
Bëhet fjalë për një ftesë nga bordi drejtues i Forumit Global të IX, ku për të marrë pjesë në punimet e tij, mjaftonte të aplikoje dhe mund të shkonin gazetarë dhe politikanë pafund. Mjafton të kishe kohë dhe para. Bashkë me Metën shkoi dhe Sali Berisha, aleati e kreu i “Rithemelimit”.
Mbetet mister nëse e mori Meta si pjesë e delegacionit presidencial apo kishte aplikuar vetë për të marrë pjesë në Forumin e Baku-së, por e vërteta është se para mediave Sali Berisha u shfaq mjaft i lumtur që më në fund siguroi një vizitë jashtë vendit, pas atij “karantinimi” që i kanë bërë SHBA e BE, menjëherë sapo ai dëboi Lulzim Bashën nga drejtimi i PD e tani bën vetë si kryetar i partisë më të madhe opozitare.
E vërteta është se më shumë se sa për të treguar se ende konsiderohen nga ndërkombëtarët, vizita në Azerbajxhan u përdor nga Ilir Meta e Sali Berisha për të treguar se më në fund janë “pajtuar” mes tyre pas adhnimit me “leje” që patën për çështjen e dekreteve të Presidentit për pasardhësin e tij Bajram Begaj.
U duhej një demonstrim publik i këtij “pajtimi të madh”, të fiksuar dhe në foton e përbashkët në darkën zyrtare në Baku, për të treguar se janë bashkë në frontin opozitar, e për të paralajmëruar se në shtator ky front opozitar do të bëjë “revolucionin për të cilin kanë nevojë shqiptarët”.
Nuk ishte fort komode të shihje dy udhëheqësit e opozitës së ardhshme, njëri “non grata” tjetri kandidat për këtë “çmim” të lartë nga SHBA, që disa orë pas paraqitjes me nota të larta të pjesëmarrjes në këtë forum dhe që kishte “vlerësuar” udhëheqësit shqiptarë me ftesën për ta, të “zbrisnin” në një darkë private me njëri tjetrin. Por Metës e Berishës u duhej një foto e tillë, për të thënë se tashmë i kishin hedhur prapa të gjitha hatërmbetjet për Begajn.
Ndonëse kishin filluar të justifikonin njëri tjetrin dhe më parë, duke u tërhequr nga akuzat për shkelje Kushtetute, por dhe duke vertetuar se gjithçka ishte realizuar sipas një skenari të mirëmenduar nga të dy bashkë.
Shumëkush ka pyetur: Pse shkuan deri në Baku të Azerbajxhanit Meta dhe Berisha për të ngrënë një darkë “pajtimi” me njëri tjetrin, kur një gjë të tillë mund ta bënin dhe në Shqipëri?!
Përgjigjia është e thjeshtë: dy liderët e ardhshëm të opozitës shqiptare kërkuan ta paraqesin pjesëmarrjen në këtë Forum, theksojmë mund të shkonte kushdo që aplikonte, si një “çarje” të izolimit ndërkombëtar për ta, por dhe si një seancë pajtimi jashtë kufijve shtetërorë shqiptarë.
Fundja Berisha nxori nga “arkiva” për ta përdorur politikisht dhe përgjigjen e liderit hungarez dhe mik të Putinit, Viktor Orban, i cili në letrën e tij të kortezisë pas urimit të ish kryeministrit shqiptar për fitoren në zgjedhje, përshëndeste rikthimin e Berishës në drejtimin e grupimit më të madh të PD. Politika s’është moral i kulluar, por interes. Megjithëse ka moral brenda amoralitetit të saj.
E vërteta është se dhe pas këtyre “piruetave” të Berishës e Metës, nga Amerika në Azerbajxhan, izolimi për ta dhe për partitë apo koalicionin që drejtojnë apo do drejtojnë, është i garantuar. Për pasojë dhe qëndrimi në opozitë tashmë është i “siguriar” plotësisht dhe pafundësisht. Mjafton që të qëndrojnë në krye të këtyre formacioneve politike, Berisha dhe Meta. Ai që e pëson si gjithnjë në këto raste është populli opozitar, që vijon të mos ketë përfaqësim dinjitoz. Dhe kjo do të vijojë deri sa të “vdekurit e pakallur” politikë të mbërrijnë në banesën e fundit.