Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 107- të. Ndërsa vijojnë sulmet në Donbass, Kievi thotë se i kanë mbaruar municionet dhe po luftojnë vetëm me armët që i ka dërguar perëndimi. Këtë e konfirmoi zëvendësi i Kreut të Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës.
“Kjo është një luftë artilerie tani. Vijat e frontit ishin ku do të vendosej e ardhmja, dhe ne po humbasim në aspektin e artilerisë”, tha Vadym Skibitsky, Nënkryetari i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës.
3 civilë vdiqën dje në rajonin e Donjeckut dhe 800 të tjerë janë refugjatë në fabrikën kimike Azot në Severodonetsk, i cili gjithashtu ishte nën sulmet ruse. Në mesazhin e tij, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëron se do të vendoset fati i Donbasit. Ndërkohë, Zelensky foli me telefon me presidentin francez, Emmanuel Macron, për të koordinuar qasjen e Kievit ndaj BE-së.
Ndërkohë Presidentja e Komisionit Evropian Von der Leyen premton: “Ne do të rindërtojmë Ukrainën, është një detyrim moral”, raporton “La Stampa”.
Gjatë njoftimit të saj të përditshëm, Inteligjenca Britanike ka ngritur alarmin lidhur me situatën shëndetësore në dy qytete të shkatërruara nga lufta, Kherson dhe Mariupol.
Inteligjenca britanike thotë se në Kherson ka mungesë të ilaçeve, ndërsa në Mariupol rreziku i një epidemie kolere afrohet.
Ministri i Jashtëm rus, Sergeji Lavrov pati një deklaratë lidhur me vendimin e marrë nga Qeveria e Vetëshpallur Popullore të Donteskut për dënimin me vdekje për dy britanikët dhe një marokeni që luftuan me ushtrinë ukrainase.
Lavrov tha se ai është marrë në bazë të ligjeve të një vendi të pavarur.
“Nuk duhet ndërhyrë në sistemin e drejtësisë të Republikës Popullore të Donetsku-t”, tha Lavrov duke shtuar se nuk do të bëjë asnjë koment tjetër lidhur me këtë zhvillim, pasi siç tha ai, nuk dëshiron që të bëjë spekulime.