Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka komentuar situatën politike në vend. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai paralajmëroi goditjen që do të marrë ish-kryeministri Sali Berisha në 7 korrik.
Klosi tha se, lideri historik i Partisë Demokratike do të braktiset nga qytetarët në protestën që ka thirrur për të rrëzuar kryeministrin Rama. Zoti Klosi zbuloi edhe arsyet se përse ish-kryeministri Sali Berisha thirri protesta tani kundër qeverisë.
Po ashtu, ish-kreu i SHISH u shpreh se sipas tij, Meta është përgjegjës për korrupsionin në Shqipëri, ndërsa theksoi SPAK duhet të zbardhë “21 Janarin”, aferën e kompleksit “Partizani”, “Gërdecin” dhe “Rrugën e Kombit”, 4 dosjet që do të shkundin opozitën.
-Zoti Klosi, SPAK ka regjistruar procedimin penal pa emër pas kallëzimit të referuar nga ish-deputeti Halit Valteri ndaj Ilir Metës për lobim me paratë e korrupsionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Cili është komenti juaj?
SPAK ato detyra ka në fakt. Në qoftë se ata binden se do të duhet që të hapet ky proces, atëherë le ta bëjnë sepse Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për këtë është krijuar që askush të mos jetë më imunitet përballë SPAK. Deri më tani, figura të rëndësishme në këto 30 vite, sepse kanë kaluar 30 vite dhe ata që kanë përgjegjësinë kryesore në këtë shtet nuk janë ngacmuar. Nuk kemi asnjë rast më parë, përveç dy ministrave kohët e fundit dhe një ministër të Berishës që e kanë dënuar. SPAK tani për këtë punë është krijuar, për të sqaruar pozicioni e secilit nga nënpunësit e mëdhenj për të sqaruar se të gjitha ato që thuhen në media janë ose jo të vërteta, SPAK është ai që e zbardh pastaj është gjykata ajo e cila vendos. Unë këtë e shoh si një lëvizje normale të SPAK. Kështu që duhet ta shohim, nuk i prish punë askujt, madje as vet presidentit Ilir Meta, nëse ky i fundit nuk ka probleme, nëse pastaj ka probleme është gjë tjetër. Akuzat që janë bërë ende nuk kanë marr vërtetim, pra nuk janë vërtetuar dhe për këtë duhet që të nisin hetimet nëse qëndrojnë apo jo ato që thuhen. Unë nuk e quaj që inkriminohet presidenti nëse e merr SPAK në hetim, jam me atë që për sa kohë dënimi nuk ka marr formën e prerë unë i quaj të pavlefshme akuzat që bëhen. Kështu që duhet që të presim se çfarë do të thotë SPAK.
-Duke u ndalur tek një deklaratë e presidentit Ilir Meta, pak ditë më parë ka deklaruar se do të shkund sistemin nga themeli. Si e komentoni këtë deklaratë të tijën?
Këto janë deklarata fare pa bazë. Nëse ai e sheh të arsyeshme se duhet të shkundet sistemi le ata bëjë. Iliri ka 30 vite në politik, është nga të parët në politik, u bë deputet fillimisht dhe i ka provuar të gjitha postet më të rëndësishme. Ai tani është akuzuar dhe mund të hetohet nga SPAK ndërkohë, që thotë se do rrëzojë këtë sistem. Prandaj duhet që të filloj SPAK për të gjithë dhe pastaj sqarohen të gjitha. Për një akuzat mund te kenë qenë të tepërta, për një tjetër mund të mos qëndrojnë fare dhe kështu me radhë. Ai ka qenë një ndër personazhet me detyra më të shumta në këtë vend si deputet, ministër, zv/kryeministër, kryetar Parlamenti dhe president dhe është një ndër ata të cilët që kanë krijuar këtë sistem.
-Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pak ditë më parë se pas 24 korrikut do të bashkohet me presidentin Ilir Meta për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Si e komentoni ju këtë deklaratë të Berishës?
Ata në fakt kanë qenë në bashkëpunim edhe më parë, sepse kanë qenë në koalicion edhe më parë, pra bashkëpunimi i tyre është i vjetër, pastaj u ndan sepse u bashkua Meta me Partinë Socialiste, pastaj e zgjodhën president. Po edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore që u bënë pak muaj më parë për 6 bashkitë pa kryetar në vend u bashkuan prapë meqenëse Berisha nuk hynte dot i vetëm në zgjedhje sepse nuk kishte parti dhe sajuan një koalicion të përbashkët me Berishën dhe një tjetër bashkëpunim i tyre në politik në të ardhmen mua nuk më habit fare. Ai e deklaroi me zë të lartë se armiku i tyre i përbashkët dhe armiku i shqiptarëve është vetëm kryeministri Edi Rama dhe ai duhet rrëzuar nga qeveria dhe bëri thirrje që të bëhen bashkë forcat opozitare për ta rrëzuar. Berisha tani që u akuzua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për person “non grata” filloi të bëjë këto.
-Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se do të ketë protesta në vazhdim dhe një ndër protestat pritet që të mbahet në datën 7 korrik. Si i shihni këto lëvizje të tij?
Unë mendoj se Berisha më këto protesta që ka paralajmëruar do të jap një mesazh se filloi “koha e luftës” kundër kryeministrit Edi Rama dhe kundër qeverisë që ai drejton. Ai po ashtu, akuza ka hedhur edhe ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se ishte i shitur tek Rama dhe mendoj se do të tregojë se ja ne jemi të përgatitur dhe do të fillojmë protestat dhe mendon se protestat do t’i vazhdojë deri sa të bëhet kryeministër i vendit. Por, unë jam i sigurt se ajo pjesa gri që quhet që janë njerëzit që nuk janë militantë të partisë, por votojnë sipas preferencave të tyre me siguri nuk do ta mbështesin. Ata e panë se kush është Berisha, ai kurrë nuk ka qenë me shqiptarët, edhe pas marsit të viti 1992 ai përfaqësonte opozitën që po tentonte që të rrëzonte. Asnjëherë në votimet që janë bërë, as në vitin 2005 që fitoi dhe u bë kryeministër dhe në 2009 nuk ka pasur shumë mbështetje dhe tani me gjithë këto që janë duke ndodhur në Partinë Demokratike, ku kemi një ndarje të saj dhe ka edhe një tjetër Parti Demokratike, ndërsa Gjykata e Apelit ende nuk e ka sqaruar se si është e vërteta se cila është partia ligjore. Mendoj se sa më shumë që po vjen dhe me këto që janë duke ndodhur do të ketë gjithmonë edhe më shumë njerëz që i besojnë Berishës dhe që nuk besojnë se me protestat që do të organizojë Berisha do të rrëzohet Edi Rama.
-Mendoni se Gjykata e Apelit është duke u vonuar në marrjen e një vendimi sa i përket statuteve të Partisë Demokratike?
Edhe mua në fakt më duket pak si një vendim që është duke u vonuar sepse do të ndodhin edhe gjëra të rëndësishme, pasi do të fillojnë protestat nëqoftëse gjykata do të jap një vendim negativ për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe protestat nuk do të kenë asnjë vlerë dhe asnjë kuptim pastaj. Ne në fakt edhe nga Gjykata Kushtetuese prisnim tjetër gjë me atë opinion që ishte krijuar sepse unë nuk jam jurist, por mendoj se një vendim nga ana e Gjykatës së Apelit është, duke u vonuar edhe pse gjërat dihen si janë. Unë mendoj se gjërat janë aq të qarta saqë edhe brenda ditës mund të vendoset ose të merret një vendim pse ka ndodhur ajo gjë, akuzuat që i bëjnë njëri-tjetrit, kongreset që kanë bërë dhe vendimet që janë marr. Pra unë nuk shoh ndonjë arsye për ta vonuar sepse provat janë ato që janë dhe që dihen dhe i dimë që të gjithë sepse të gjitha janë bërë publike edhe në media. Nuk është se ka ndonjë gjë të fshehtë që duhet që të hetohet, të verifikohet dhe duhet kohë. Të gjitha janë të hapura, të gjitha janë të filmuara me zë dhe me figurë dhe kjo punë mund të mbaronte edhe më shpejt mendoj unë.
Do doja të ndaleshim pak edhe tek ecuria e reformës në drejtësi deri më tani. Si e shihni ecurinë e saj?
Lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi mund të them se kanë ndodhur gjëra të cilat më parë nuk ndodhnin, figura të rëndësishme të politikës nuk janë më të lirë.
-Deri më tani kemi parë disa arrestime nga SPAK, mendoni se SPAK duhet të vijoj që të godas në nivele të larta zyrtarësh?
Natyrisht që duhet nuk ka prova ende por janë dy ministra brenda. Nëse Shqipëria është në këtë gjendje fajin e kanë ata që vendosnin, ata që janë në pushtet e kanë qenë. Prandaj u bë edhe reforma në drejtësi sepse drejtësia që ekzistonte kishte frikë nga më të mëdhenjtë dhe SPAK prandaj u krijua dhe ka detyrimin që të bëjë atë që nuk u bë më parë. Populli është i pakënaqur që reforma është vonuar dhe nuk po sheh gjëra të mëdha. Partnerët që na ndihmuan mezi po presim kanë thënë gjithmonë “peshqit e mëdhenj”.
-Kemi parë arrestime nga radhët e mazhorancës, mendoni se do të ketë edhe nga radhët e opozitës?
Para drejtësisë nuk ka mazhorancë dhe opozitë, por mendoj se e kanë me kollaj sepse janë provat më të freskëta. Tani duhet që të presim dhe të shohim se ca do të bëhet. U hap problemi inceneratorëve, opozita hodhi akuza u shfaqën prova, ishte problemi tjetër i ish- ministrit të Brendshëm, ndërsa provat për opozitën janë pak si më të vjetruara. Pastaj është SPAK që do tregojë se është i paanshëm. Unë pres nga shumë nga SPAK të hetohet “21 janari”, “Gërdeci”, po ashtu çështja për Kompleksin “Partizani” edhe për Rrugën e Kombit.
-Doja të ndaleshim pak edhe tek nisma “Open Balkan” në të cilën janë bërë pjesë disa shtete. Si ju duhet si nismë?
Unë jam shprehur hapur në fakt në favor të “Ballkanit të Hapur”. Mendoj se kjo nismë do të tregojë nëse merremi vesh apo jo me vendet e rajonit, këtu fillon pastaj. Ne si shqiptarë na ka ngel një opinion i keq se kemi shkuar keq gjithë jetën me serbët dhe se kemi pasur vetëm një periudhë shumë të vogël në vitet ‘45-‘47 qetësie. Kështu që tani meqenëse të gjitha këto vendet e rajonit kaluan nga një sistem në një sistem tjetër mbase është mundësia që tani të merremi vesh. Dhe mendoj se kjo nuk ka të bëjë fare me karshillikun ndaj Bashkimit Evropian, pasi Bashkimi Evropian nuk ka atë bëjë fare me këtë nismë, ky i fundit kërkon nëse i ke plotësuar apo nuk i ke plotësuar kushtet për tu bëtë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërkohë që “Open Balkan” është një nismë mes vendeve për tu marr vesh me njëra-tjetrën për lëvizje të lirë të njerëzve të mallrave. Pra nuk kërkon askush që të ndërrohet asnjë ligj, nuk kërkon askush që një vend të humb sovranitetin e vet, ndërkohë që Bashkimi Evropian e bënë këtë gjë, sepse nëse bëhesh pjesë e Bashkimit Evropian je një vend më pak sovran, se kështu është i sajuar. Serbia përshembull është një vend i zhvilluar dhe si rrjedhim do përfitojnë edhe vendet e tjera dhe të përpiqemi që të përfitojmë edhe ne nga Serbia, pastaj nëse e shohim që humbëm ikim nga kjo nismë. Kjo nismë nuk është si Bashkimi Evropian, sepse e mbajmë mend se me sa siklet doli Mbretëria e Bashkuar nga Bashkimi Evropian që është edhe një vend shumë i fuqishëm dhe u diskutua për vite me radhë se si do ikte nga Bashkimi Evropian. Pra nëse hyn në Bashkimin Evropian nuk është se është aq e lehtë që të largohesh sërish, kurse kjo nismë është krejt ndryshe. Unë kam dëgjuar deklarata që janë bërë marrëveshje dhe nuk është kërkuar që të humbim diçka nga këto marrëveshje, si përshembull të dorëzojmë diçka nga ekonomia jonë ose diçka tjetër.
-Duke iu referuar edhe pjesëmarrjes së Shqipërisë në “Open Balkan”, mendoni se çdo gjë që bënë qeveria në Shqipëri kundërshtohet nga opozita, sepse edhe këtë nismë e ka kundërshtuar?
Po në fakt në Shqipëri çdo gjë që e bënë qeveria, opozita e kundërshton dhe jo vetëm demokratët, por edhe socialistët e kanë bërë këtë gjë më parë kur kanë qenë në opozitë. Pastaj çdo hap i ri ka edhe pasoja pozitive, për mua duhet provuar dhe nëse nuk funksion asgjë, nuk është se ka ndonjë buxhet të përbashkët si ka Bashkimi Evropian dhe ka detyrime, nuk ka asgjë nga këto, por ka vetëm marrëveshje për të lehtësuar komunikimin dhe kush është i zoti përfiton më shumë. Unë në këtë fushë i besoj kryeministrit Edi Rama, e shoh që ka vizion dhe po tenton që të bëjë marrëveshje që ky rajon të jetë normal, sepse deri më tani vetëm kemi luftuar me njëri-tjetrin, kemi pasur mëri edhe tani marrëdhëniet sikur kanë ndryshuar, të njëjtën gjë si me Malin e zi duhet që të bëjmë edhe me Maqedoninë e Veriut. Për mua Ballkani i Hapur do të ishte një provë finale para hyrjes në Bashkimin Evropian për të parë si është komunikimi me vendet e rajonit dhe të shkojmë atje të gjithë së bashku. Nga ajo që ndodhi mes Rusisë dhe Ukrainës është krijuar edhe një atmosferë tjetër brenda Bashkimit Evropian. Unë mendoj se ne do të jemi në këtë union të madh, sepse kjo është si ajo prova gjenerale përpara një shfaqje. Por, opozita mundohet që të gjej anë negative për shumë gjëra që bënë qeveria.
-Edhe një herë Bashkimi Evropian i mbylli derën hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Cili është komenti juaj?
Maqedonia do t’i bëjë ato reforma që do t’i thonë bullgarët, atë punën e gjuhës e kanë siklet unë besoj se do bëhet edhe ky hap. Por duhet ta shohim se çfarë do të bëhet me hapeje e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por fakti që Parlamenti bullgar hoqi veton e shoh si një gjë pozitive. Sa kohë do duhet me bisedimet për të hyr në BE pastaj është tjetër gjë, por mua më trembi një deklaratë e kryeministrit grek që tha nëse do hymë brenda vitit 2033 do ishte një arritje e madhe dhe se duket si një objektiv i vështirë. Një gjë është çelja e bisedimeve dhe tjetër gjë janë negociatat sepse do të ketë seanca të shumta për tu vërtetuar nëse i plotësojmë kushtet ose jo. Në bisedime do të diskutohen detyrat e shtëpisë dhe ata mund të thonë se kjo nuk është bërë akoma dhe mund të shtyhet edhe për disa vite të tjera, pastaj mund të dal një gjë tjetër që nuk është bërë dhe mund të ketë shtyrje sërish. Shpresojmë shumë që do të kalohet kjo fazë.
-Si i shihni deklaratat e kryeministrit Edi Rama kundër evropianëve pas mos hapjes së negociatave nga BE?
Mua më pëlqeu deklarata që bëri sepse më pëlqen guximi atij, është kryeministri i një vendi të vogël që po përpiqet shumë që të futet në Bashkimin Europian dhe prapë bënë deklarata si ato sepse duket në një farë mënyrë sikur nuk ka të drejtë që ti kritikojë, por që ai po e bënë këtë dhe thotë se është problemi i tyre që janë duke i vonuar dhe jo i joni sepse ne po përpiqemi.
-Në raportin e Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2021, flitet edhe për spiunazhin, ku pjesë e përgjimeve ka rënë edhe një zyrtar i lartë shtetëror shqiptar, ku theksohet se një shtetas i huaj i koduar si “Rezidenti” arriti që të infiltrohej në zyrat shtetërore, përmes një njohjeje me zyrtarin el artë i cili është koduar me nofkën “Çelësi”. Si e komentoni?
Kam punuar në atë institucion dhe në kohët që kam qenë unë atje nuk është se bëheshin raportime të tilla. Mund të them vetëm një gjë që janë shumë të përgjithshme, ndërkohë që atyre në fakt ia ndalon ligji që të tregohet se çfarë bëjnë dhe ligji thotë se puna e SHIK është sekret. Ata kanë tentuar që të botojnë një raport që ta lexojnë njerëzit, por është në konflikt me ligjin dhe është një raport i përgjithshëm janë fenomene që ndodhin në të gjithë vendin.
-Së fundmi do donim një koment tuajin lidhur me luftën në Ukrainë, si e shihni ecurinë e saj?
Dëgjova kryeministrin britanik që tha edhe ndihmat tona nuk do jenë të mjaftueshme sa i përket luftës në Ukrainë, sepse ata kanë ndihmuar me armatime dhe mendohet se do të jetë një luftë e cila do të zgjas. Është një luftë e padrejtë ndaj Ukrainës dhe mendoj se ndërkombëtarët do të jenë më të vendosur.