Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një takim me kryetarët e bashkive të vendit për vlerësimin financiar të njësive të qeverisjes vendore dhe strategjinë e decentralizimit.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri tha se:” Çdo bashki mund të ketë nevojë për më shumë detaje lidhur me mënyrën sesi e lexojmë ne situatën financiare dhe për këtë gjë Ministria e Financave është në dispozicion të tyre. Ndërkohë që ajo që ka shumë rëndësi të nënvizohet sot është se disiplina financiare e bashkive është sot më shumë sesa asnjëherë tjetër një domosdoshmëri në të gjithë kontekstin që jetojmë por edhe me atë të thellimit të digjitalizimit si përgjegjësi jo vetëm si autonomi.
Së pari në aspektin e detyrimeve të prapambetura, ne do të hymë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë, në bazë të parametrave të dakordësuar, kjo është e domosdoshme që nuk mundet dot që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë e hapur edhe për vitet që vijnë. Nga ana tjetër rritja e performacës së bashkive është një prioritet për ne dhe nuk ka sesi të rritet nëse nuk forcohet disiplina e tyre financiare.
Është e pamundur që ne akoma sot në nivel bashkiak, që nga Tirana nuk kemi asnjë aktivitet ekonomik të pavaruar që prodhon të ardhura, filluar nga ndërtimi. Bashkitë i kanë të gjitha mundësinë të krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim dhe të fitojnë të ardhura për buxhetin e tyre.”
“Rolin e zhvilluesit e luajnë shumë investitorë që nuk kanë kompani ndërtimi, pse mos ta bëjnë bashkitë këtë, çfarë i pengon, me një gur vrasin dy zogj, krijojnë oportunitet për të pastrehët e tyre dhe nga ana tjetër shesin për të mbledhur të ardhura.
Sa janë tregjet e prodhimit bujqësor me pjesëmarrje apo pronësi bashkiake, sa janë pikat e grumbullimit dhe shpërndarjes me pjesëmarrje apo pronësi bashkiake, sa e kanë shfrytëzuar garancinë sovrane si katalizator për të adresuar nevojat e fermerëve pa pritur që t’i zgjidhi investitori private, që është i mirëseardhur po jo kurdo herë vjen kur duhet.
Për të ardhur te një tjetër gangren që është uji, pse duhet të përballemi ne si qeveri me probleme si uji nëse bashkitë, kur nuk bëjnë detyrën po bashkëjetojnë me abuzimin me këtë pasuri në emër të komfortit elektoral, dhe kjo pasuri nuk shkon aty ku duhet po prodhon vetëm borxhe. Pa folur për shërbime të tjera si transporti publik e pastrimi
Në të gjitha këto kemi mundësi të shikojmë se nuk janë gjëra që askush nuk i ka bërë, përkundrazi pse duhet të jetë qeveria kampione në digjitalizim e shërbime? Të jenë bashkitë! Në tërë botën ndodh e kundërta, nga sektori privat, pushteti vendor dhe pastaj qeveria qendrore. Këtu qeveria qendrore ka bërë një revolucion deri në fund me shërbimet.” shtoi Rama.