Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e takimit “Bujqësia me Teknologji dhe Inovacion”, ku të pranishëm ishin ekspertë shqiptarë e të huaj, fermerë, agropërpunues, pedagogë dhe studentë, si dhe përfaqësues nga programet ndërkombëtare të ndihmës në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend.

Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh se është me shumë rëndësi që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe t’ia dalim të krijojmë sa më shumë kanale komunikimi me të gjithë komunitetin e fermerëve, për të përcjellë informacionet më të fundit mbi zhvillimet teknologjike në funksion të bujqësisë. Për të përcjellë sksperiencat më të mira në fushën e bujqësisë sonë, për të përcjellë edhe të gjithë informacionin e nevojshëm mbi mundësit e financimeve, bashkëpunimeve dhe sinergjive të ndryshme. Bujqësia është gjithnjë dhe më shumë një fushë ku dija më e përparuar luan edhe rolin më të rëndësishëm.

Më tej Kryeministri Rama vijoi duke u shprehur: “Kemi bërë një ndryshim të konsiderueshëm në mënyrën e financimit që ka sjellë një ndryshim të konsiderueshëm në realitet edhe pse mendoj që mënyra e financimit, duhet të thellohet në drejtim të financimit të suksesit dhe jo në drejtim të subvencionit të mbijetesës. Subvencioni i mbijetesë në bujqësisë do të thotë përsëritje e ciklit të mbijetesës dhe pamundësi për të dalë nga ai rreth vicioz, ndërsa financimi i suksesit do të thotë krijimi i bujqësisë sipërmarrëse.”

Rama shtoi: “Në Shqipëri sot, punohet më shumë sesa dyfishi i tokës që punohej përpara 6-7 vjetësh dhe po të shohim raportin import-eksport ka një ndryshim shumë domethënës. E kemi nisur 1 me 7, një skandal për një vend me potencialin dhe me praninë ende të konsiderueshme të bujqësisë në sektorin e punësimit. Një eksport dhe 7 importe, sot jemi 1 me 3.”