Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas dhe kryeministrin malazez Dritan Abazoviç nga Kievi, kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët nëse Shqipërisë do t’i vinte keq që Ukraina të marrë me procedura të përshpejtuara statusin e vendit kandidat.

Ndërsa theksoi se është e drejta e Ukrainës që të kërkojë statusin e vendit kandidat, Rama solli në vëmendje edhe rastin e Kosovës, për të treguar se “këtu jemi në një linjë të mirë-përkufizuar të asaj çfarë jemi ne dhe se çfarë ne përfaqësojmë.”

“Ka një vend që Ukraina s’e ka njohur, Kosova dhe pavarësisht kësaj, ajo po bën të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë me sanksione dhe mbështetje të plotë. Pra këtu jemi në një linjë të mirë-përkufizuar të asaj çfarë jemi ne dhe se çfarë ne përfaqësojmë. Pra besoj se është gjëja e duhur për t’u bërë. Populli i Ukrainës duhet ta dijë tani që në sytë e BE, e ardhmja e tyre është në familjen e BE. Kjo është e vetmja gjë që nënkupton marrja e statusit kandidat.”