Ministrja Elisa Spiropali ka treguar prapaskena të së premtes, ku pas mbledhjeve maratonë, u vendos që të propozohej si President i Republikës Bajram Begaj. Ajo ka treguar në emisionin “Open”, se kishte një listë të gjatë emrash, ndërsa emri i Begajt ishte ai që përputhej me kriteret e vendosura prej tyre.
“(Akuzat e opozitës që Presidenti është zgjedhur paraprakisht dhe se procesi ishte farsë) Mua më rezulton që ata që akuzojnë të tjerë me akuza të shpikura ose do i bënin vetë ato që thonë ose s’kishin asnjë lidhje me politikën. Ne kishim të gjithë vullnetin për të respektuar frymën e Kushtetutës për një president mbi palët. Ne thamë që nuk do të jetë një figurë politike e PS, e ne nuk kemi ndërmend që institucionin e Presidentit ta kthejmë në një zyrë të shumicës parlamentare. Kjo ishte oferta jonë.
Ne u ulëm me këtë predispozite. E bëmë të qartë që nuk vendosim kushte. Votat ne i kishim e aq më tepër s’e bën këtë një pakicë më e vogël që rrudhet vazhdimisht. Kjo dobësi e më vjen keq ta them dhe arrogancë e opozitës që mundohej ta kthente tavolinën në anë tjetër u bë e qartë për të gjithë. Dua të jem e drejt, grupet e tjera parlamentare ishin në bashkëpunuese se PD. Ata nuk dolën përtej sherreve të ditës. Ne kemi zgjedhur Gjeneral major Bajram Begajn. Një ushtarak i lartë që jemi të sigurt që do i japë dinjitetin e munguar Presidencës. Bazohemi te karriera e tij e gjatë dhe te një person që e ka dëshmuar që këtyre njerëzve u ka dhënë e nuk i ka marrë. Ishte një detyrë kushtetuese që ne e ushtruam deri në fund. As Presidenti i zgjedhur nuk na detyrohet sepse bëmë detyrën tonë. Në selinë e PS pas një diskutimi të gjatë ne u munduam dhe krijuam një proces”, tha Spiropali.
Më tej Spiropali ka treguar se emri i Begajt ka dalë nga deputetët e grupit parlamentar gjatë propozimeve në mënyrë anonime. Ajo tha se në fund mbetën 6 emra, tre gra dhe tre burra, figura të nderuara, por që në fund u vendos që të kalohej me Begajn.
“Kush janë ata që na akuzojnë për zarfe të mbyllur? Ata që dolën shpejt nga ky proces. Si merren seriozisht alibitë e Alibeajt? Ky ishte një proces i gjatë. Edhe në kryesinë e partisë pasi ishin filtruar mirë listat e propozuara. Kishim 14 emra politikë dhe 26 emra të dalë nga ky proces që njerëz nuk kishin emra me PS, por i thonin diçka shoqërisë.
Nuk e konsumuam listën e parë dhe iu referuam listës së dytë. Bëmë një listë më të shkurtër. U vendosëm më pas te emri i Begajt. Duhet kuptuar që procesi i konsultimit me grupin parlamentar ishte fillimi i procesit. Ne gjykuam që duhet të merrnim grupin e emrave për të kaluar në një filtër tjetër. Emri i Begajt u propozua nga grupi parlamentar i PS, kishte dalë disa herë si emër. Pati propozime. Kishte shumë emra, në fund mbeti një gjashtëshe. Individët ishin të nderuar dhe në fund u gjykua që kriteret e vizionit që ne kishim përmbusheshin më mirë nga emri i Begajt”, tha Spiropali.