Robert Peçi është 39-vjeçari të cilit i janë sekuestruar 2 milionë euro pasuri të dyshuara që i ka vënë në sajë të aktivitetit kriminal. Peçi rezulton i dënuar në vitin 2007 me 7 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Gjithashtu ai u arrestua në vitin 2018, nga autoritetet policore angleze, për trafik të narkotikëve. Me kërkesë të prokurorit Leonard Filopati, Peçit iu sekuestrua pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2 milionë euro, e cila përfshin:
Pasuri e paluajtshme (arë), në Valare, Gjirokastër; 5 apartamente në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; 3 garazhe në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; 1 apartament në Yzberisht dhe 3 automjete.
Por kush është Robert Peçi!?
Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2009, 3 vite pas operacionit “Poter – Al” dënoi me 63 vjet burg 6 të pandehurit e grupit kriminal. Përkatësisht u dënua me 16 vjet burgim Ilir Koçiaj, i njohur si kreu i këtij grupi. Sakaq Xhiljano Xhoxhi 10 vjet burg dhe po aq kanë marrë tre të pandehurit e tjerë, Vangjel Kondili, Ervin Tavanxhi dhe Kozma Laçka. Ndërsa për të fundit të grupit Robert Peçi, Gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin me 7 vjet burg. Të pandehurit akuzohen për trafikun e heroinës dhe kokainës në pesë shtete duke përdorur korrierë të huaj. Ata ranë në pranga më 23 maj të vitit 2006, vetëm pak ditë pas arrestimit të 40 personave në Itali. Nga hetimet rezultoi se kokaina merrej kryesisht në Holandë dhe më pas në rrugë tokësore dërgohej në Francë dhe Itali. Ndërkohë, heroina merrej kryesisht në Turqi dhe nëpërmjet Shqipërisë dërgohej në Itali.
Lista e plotë e pasurive të sekuestrua
•Pasuria e llojit arë me sipërfaqe 6800 m2, ne emër të shtetasit A.P, babai i subjekti të hetimit, e cila ndodhet në bashkia Valarë, Gjirokastër.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 67.25 m2, ne emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit garazh me sipërfaqe 17.5 m2, në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit garazh me sipërfaqe 17.5 m2 e cila është regjistruar në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 93.38 m2, në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 48.6 m2, në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit garazh me sipërfaqe 17.78 m2, në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit apartament me siperfaqe 105 m2, në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit, e ndodhur në Tiranë, Komuna e Parisit.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 58.42m2, në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit, e cila ndodhet në Tiranë, Komuna e Parisit.
•Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 53 m2, në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit, e ndodhur në Yzberisht.
•3 automjete të markave Range Rover Sport, Hyndai ngjyra gri dhe Audi Q5 tipi 8 në pronësi të shtetasit R.P.