Një video gazmore dhe një apel të veçantë drejtuar mësuesve.

Kjo ishte mënyra që ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zgjodhi si urim për 1 qershorin.

Duke theksuar rëndësinë dhe ndikimin e figurës së mësuesit tek nxënësit,
Kushi në statusin e saj nënvizon se të gjithë bashkë duhet të falin sa më shumë përkujdesje dhe dashuri.

Videoja e urimit është një ndërthurje e disa intervistave të bukura dhe gazmore të disa fëmijëve, të bëra në momente ekskursioni në praninë e prindërve të tyre dhe të shumë bashkëmoshatarëve të klasave të para.

“Bashkë me urimin për fëmijët kam edhe një thirrje për të gjithë mësuesit tanë, ju që i ndiqni që në hapat e parë nxënësit dhe keni një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e tyre. Mbrojtja dhe sigurimi i një të ardhmeje sa më të mirë është përgjegjësia jonë e përbashkët, prandaj le t’i shtojmë përpjekjet për t’u falur nxënësve sa më shumë përkujdesje, dashuri, arsimim cilësor e të barabartë, ashtu siç ata e meritojnë. Fëmijë të dashur, faleminderit që i jepni dritë jetës sonë”, shprehet Kushi në postimin e saj në rrjetet sociale.

Në Shqipëri, por edhe në të gjithë vendet e botës, sot fëmijët kanë ditën e tyre të festës. Nuk do të mungojnë edhe aktivitetet e larmishme që do të organizohen për ta bërë këtë ditë sa më të bukur për të vegjlit.