Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel ka kërkuar që Kosovës t’i liberalizohen vizat.
‘Është një ditë historike. Sot është dita kur ne duhet të fillojmë realisht negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe duhet të fillojmë realisht të flasim për të garantuar liberalizimin e vizave për Kosovën’, tha ajo.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani teksa hynte në punimet e Samitit, tha se ka ardhur koha që BE-ja t’i flasë qartë Ballkanit, ose përndryshe të tjerët do ta zënë hapësirën e lënë bosh prej unionit.
“Duke hapur dyert e saj për Ukrainën dhe Moldavinë, BE po dërgon një mesazh me rëndësi gjeostrategjike. Është një vendim gjeopolitik dhe është pikërisht ajo që i duhet Ballkanit Perëndimor. Pra shpresoj shumë që ndërkohë që Ukraina dhe Moldavia vazhdojnë njëkohësisht, BE-ja të kuptojë se ne jemi pjesë e zemrës së Evropës dhe se edhe ne meritojmë të vazhdojmë, sepse nëse BE-ja nuk i jep një sinjal të qartë Ballkani Perëndimor, faktorë të tjerë keqdashës do ta përdorin atë hapësirë”, u shpreh Osmani.