Deputeti i PS Arben Pëllumbi ka folur mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Pëllumbi u shpreh se socialistët po përgatisin një listë të shkurtuar emrash mbi kreun e shtetit që do diskutohen në Kryesi dhe grup parlamentar.
“Neve kemi nisur një proces brenda vetes, me propozime konkrete. Ka një listë emrash dhe po përgatitet lista e shkurtuar për t’u paraqitur në Kryesinë e PS. Se di a do jenë 10, 8, apo 12. Do diskutojmë faktin nëse duhet të dalim me një kandidaturë të vetme, apo disa kandidatura”.
Ndërsa u pyet mbi mundësinë që Dvorani të jetë pjesë e listës, Pëllumbi tha se është shpejt për të folur mbi emra të përveçëm.
“Është shpejt akoma të lakojmë emra të përveçëm. Të gjithë emrat që mund të propozohen në Kryesinë e PS, sigurisht do diskutohen në Kryesinë tonë, për të dalë me emra sa më përfaqësues dhe dinjtoz. Do diskutojmë në Kryesi, në grup parlamentar, dhe në përfundim do shikojmë se cilat kandidatura do mbështesim dhe pse”.