Batica e zbatica gjatë luftërave. Dhe pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin nuk po bën përjashtim. Kjo pasi frika e hershme e një pushtimi të shpejtë u pasua nga tërheqja ruse dhe rezistenca e Ukrainës.

Ndërkohë që tani kemi një ofensivë ruse, më të fokusuar në lindje. Por 100 ditë më vonë, a mund të parashikohet se kah mund të shkojë kjo luftë?

Këtu janë pesë skenarë të mundshëm – të gjithë brenda kufijve të besueshmërisë, shkruan BBC.

1: “Acarimi” i luftimeve
Lufta mund të vazhdojë për muaj – nëse jo vite – teksa forcat ruse dhe ukrainase shkatërrojnë njëra-tjetrën.

Momenti zhvendoset andej-këtej ndërsa të dyja palët shënojnë “fitore dhe humbje”.

Asnjëra palë nuk është e gatshme të dorëzohet.

Presidenti rus Vladimir Putin gjykon se ai mund të fitojë duke demonstruar durim strategjik, duke vënë bast se vendet perëndimore do të vuajnë nga “lodhja e Ukrainës” dhe do të fokusohen më shumë në krizat e tyre ekonomike dhe kërcënimin nga Kina.

Megjithatë, Perëndimi po tregon vendosmëri dhe vazhdon të furnizojë Ukrainën me armë.

Mick Ryan, një gjeneral australian në pension dhe studiues ushtarak, thotë: “Ka pak gjasa për një fitore dërrmuese operacionale ose strategjike nga ndonjëra palë në një afat të shkurtër. Asnjëra palë nuk ka demonstruar aftësinë për të dhënë një goditje vendimtare strategjike”.

2: Putini shpall armëpushimin

Po sikur presidenti Putin të befasonte botën me një armëpushim të njëanshëm?

Ai mund të “fuste brenda” territoret e fituar dhe të shpallte “fitoren”.

Presidenti rus mund të pretendonte se “operacioni i tij ushtarak” ishte i plotë: separatistët e mbështetur nga Rusia në Donbas janë të mbrojtur; një korridor tokësor i krijuar për në Krime.

Më pas ai mund të kërkonte “një nivel të lartë moral”, duke bërë presion mbi Ukrainën që të ndalojë luftën.

“Kjo është një dredhi që mund të përdoret nga Rusia në çdo kohë, nëse dëshiron të përfitojë nga presioni evropian ndaj Ukrainës për t’u dorëzuar dhe hequr dorë nga territori në këmbim të paqes së imagjinuar”, thotë Keir Giles, ekspert për Rusinë në institutin e mendimit Chatham House.

Ky është një argument i dëgjuar tashmë në Paris, Berlin dhe Romë: nuk ka nevojë për të zgjatur luftën, është koha për t’i dhënë fund dhimbjes ekonomike globale – le të shkojmë për një armëpushim.

Kjo, megjithatë, do të kundërshtohej nga SHBA, Britania e Madhe dhe pjesa më e madhe e Evropës Lindore, ku politikëbërësit besojnë se pushtimi i Rusisë duhet të dështojë, për hir të Ukrainës dhe rendit ndërkombëtar.

Pra, një armëpushim i njëanshëm rus mund të ndryshojë narrativën, por jo t’i japë fund luftimeve, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

3: Ngërçi në fushën e betejës

Po sikur Ukraina dhe Rusia të arrijnë në përfundimin se nuk mund të arrijnë më shumë ushtarakisht dhe të hyjnë në bisedime për një zgjidhje politike?

Ushtritë e tyre janë të rraskapitura, nuk kanë fuqi ushtarake njerëzore dhe municione.

Humbjet në njerëz po ashtu edhe në para nuk e justifikojnë më luftën e mëtejshme: humbjet ushtarake dhe ekonomike të Rusisë nuk janë më të përballueshme; populli ukrainas është i lodhur nga lufta, duke mos dashur të rrezikojë më shumë jetë për një fitore përjetësisht të pakapshme.

Po sikur lidershipi në Kiev – duke mos i besuar më mbështetjes së vazhdueshme perëndimore – të vendosë se ka ardhur koha për të biseduar?

Presidenti amerikan Joe Biden pranon hapur se qëllimi i Amerikës është që Ukraina të jetë “në pozicionin më të fortë të mundshëm në tryezën e bisedimeve”.

Por mund të mos ketë një ngërç në fushëbetejë për shumë muaj dhe çdo zgjidhje politike do të ishte e vështirë, jo më pak për shkak të mungesës së besimit të Ukrainës në Rusinë.

Një marrëveshje paqeje mund të mos zgjasë dhe mund të pasohet nga më shumë luftime.

4: Një ‘fitore’ për Ukrainën

A mundet Ukraina të arrijë diçka afër fitores? A mund të detyrojë Ukraina trupat ruse të tërhiqen deri atje ku ishin para fillimit të agresionit?

“Ukraina patjetër do ta fitojë këtë luftë”, tha presidenti i vendit Volodymyr Zelensky për televizionin holandez këtë javë.

Po sikur Rusia të mos pushtojë të gjithë Donbasin dhe të pësojë më shumë humbje?

Sanksionet perëndimore goditën makinën luftarake të Rusisë. Ukraina kryen kundërsulme, duke përdorur raketat e saj të reja me rreze të gjatë, duke rimarrë territorin ku shtrihen linjat e furnizimit ruse.

Ukraina e transformon ushtrinë e saj nga një forcë mbrojtëse në një forcë sulmuese.

Sidoqoftë, ky skenar bën që politikëbërësit të shqetësohen që tashmë për pasojat e tij.

Nëse Putin do të përballej me disfatën, a mund të përshkallëzonte veprimet, duke përdorur potencialisht armë kimike ose bërthamore?

Historiani Niall Ferguson tha në një seminar në Kings College, Londër kohët e fundit: “Më duket e pamundur që Putini do të pranojë disfatën ushtarake konvencionale derisa të ketë një opsion bërthamor”.

5: Një ‘fitore’ për Rusinë
Çfarë nëse ka një “fitore” të mundshme ruse?

Zyrtarët perëndimorë theksojnë se Rusia, megjithë pengesat e hershme, ende planifikon të pushtojë kryeqytetin Kiev dhe të nënshtrojë pjesën më të madhe të Ukrainës.

“Ato objektiva maksimaliste mbeten aty”, citohet të ketë thënë një zyrtar.

Rusia mund të përfitojë nga fitoret e saj në Donbas, duke çliruar forcat për përdorim diku tjetër, ndoshta edhe duke synuar edhe një herë Kievin.

Populli i Ukrainës mund të ndahet, disa duan të luftojnë, të tjerët duan paqe. Disa vende perëndimore mund të lodhen duke mbështetur Ukrainën.

Një diplomat perëndimor ka thënë se ndoshta Perëndimi duhet të testonte një armë bërthamore në Paqësor si një paralajmërim për Rusinë.

Pavarësisht prej të gjithave, e ardhmja e kësaj lufte “ende nuk është shkruar”.