Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një fuqizim të industrisë evropiane të armëve përballë pushtimit rus të Ukrainës.
“Një strategji evropiane do të ishte e mirë për ekonominë tonë, tregun tonë të punës dhe sovranitetin tonë”, tha Macron në ceremoninë e hapjes së panairit të teknologjisë së mbrojtjes dhe sigurisë në Paris. Ai i bëri thirrje Evropës që të investojë më shumë në aftësitë e veta mbrojtëse, në vend që të shpenzojë para për pajisje ushtarake të importuara nga jashtë.
“Rritja e bashkëpunimit dhe një kornizë standardizuese mes kompanive evropiane të armëve do të ishte e nevojshme për t’u bërë një vend më konkurrues, në krahasim me SHBA-në”, tha ai.
Macron ka qenë në favor të një strategjie të pavarur evropiane të mbrojtjes për të plotësuar NATO-n për vite me radhë. Ai njoftoi gjithashtu një rishikim të shpenzimeve të mbrojtjes për Francën, në mënyrë që të jetë e përgatitur ndaj kërcënimeve.
Industria e armëve do të duhet të reagojë më shpejt ndaj nevojave të ushtrisë dhe të dorëzojë materiale më shpejt, si në rastin e teknologjive bazë ashtu edhe në inovacionet e nivelit të lartë.