Në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohet për aktin normativ “Për kompesimin financiar të çmimit të disa matariale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë, të krijuar në treg gjatë vitit 2022”. Në fjalën e saj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se janë pikërisht të tillë instrumenta që nuk lejojnë thellimin e pabarazive dhe nuk rrisin varfërinë.
“Si po e mbrojmë sot ekonominë familjarë? Si po e mbrojmë sot ekonominë e vendit? Si po garantojmë sot që politikat që jemi duke bërë po mbështesin ata që më shumë nevojë. Si po punojmë sot nëpërmjet intrumentave, ku edhe ky akt normative shërben pikërisht për këtë gjë, që pabarazia të mos thellohet, që vendet e punës të mos humbin, që varfëria të mos rritet”, tha Manastirliu, duke i ftuar deputetët që ta miratojnë këtë akt normativ që do t’i shërbejë gjithashtu të gjithë projekteve zhvillimore në të gjithë sektorët e vendit dhe mbi të gjitha do t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë.
Duke folur inflacionin në shportën e ushqimeve, Manastirliu tha se qeveria shqiptare indeksoi pensioniet dhe pagesën e ndihmës ekonomike.
“Çfarë bëmë? Paketa e Rezistencës ndihmoi pensionistët në indeksimin e pensionve, 3 miliard lekë. Paketa e Rezistencës ndihmoi familjet në ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe duke i mbështetur pikërisht për rritjen e inflacionit. Por mos harrojmë dhe duhet ta kujtojmë gjithmonë se në 1 janar të vitit 2022, të këtij viti buxheti për ndihmën ekonomike u rrit me 1.5 miliard lekë”, tha Manastirliu.
Duke i’u përgjigjur akuzave të opozitës për rritjen e fluksit të pacientëve në Urgjencën e QSUT, Manastirliu tha se vijon transformimi përmes investimeve.
“Vetëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ne kemi investime që transformojnë, vijojnë transformimin dhe modernizojnë sistemin shëndetësor me 1 spital të ri, që po vijon intensivisht puna për të përfunduar brenda këtij vit. 14 milionë euro nga qeveria shqiptare për këtë spital. Po vijojmë investimin në Spitalin Infektiv për të mundësuar një qendër moderne ekselence për shërbimin e sëmundjeve infektive. Fillojmë brenda dy muajsh investimin në godinën e Pediatrisë së Përgjithshme. Dhe ndërkohë do të vijojmë ashtu sikure e kemi në planin tonë të zhvillimit të spitaleve investimet në shëndetësi”, reagoi Manastirliu.
Manastirliu ka reaguar edhe përsa i përket skanerave në QSUT duke u shprehur: “Skanerat në QSUT dhe shërbimi i imazherisë në QSUT është një prej shërbimeve më të kompletuara. Kështu që mos u shqetësoni, edhe kur bën një defekt një skaner dhe duhet të rregullohet janë të gjitha në mirëmbajtje full-risk apo në mirëmbajtje periodike. Kemi 6 skanera në QSUT. Kush shkon sot në QSUT, skanerin e bën; kush shkon sot në QSUT shërbimin e merr sikurse e ka marrë në këto vite dhe do të vijojë të marrë akoma më mirë me investimet që ne po bëjmë. Por të jeni të sigurt që koha e vizionit të një shëndetësie e cila ishte në vdekje klinike nuk do të vijë më.”