Deputetja demokrate Dhurata Çupi theksoi në mbledhjen e parë të Komisionit për Reformën Territoriale se duhet të shikohet në themel, sepse ka dështuar.
“Është një reformë e dështuar, ky opinion është kthyer në fenomen që reforma territoriale administrative ka dështuar dhe ne do t’i rikthehemi në themel, ajo që synonte ishte thellimi i decentralizimit , jo vetëm që kemi decentralizim, por thelloi centralizimin, sot ka qytetarë që se marrin shërbimin në bashki , një arsye është largësia e madhe gjeografike. Kryetarët e bashkive janë të cenuar për autoritetin e tyre. Do të kemi raste që t’i tregojmë qytetarëve atë që duhet t’u japim, një reformë të gjithë pranuar, të konsultuar dhe të gjendet konsensusi i përbashkët i të gjitha forcave”, tha Çupi.
“Në Dibër nga 14 u konvertua në 1, kurse Përmet ka më shumë, qenia në distancë ka prodhuar shpopullim, do ishte një e keqe tjetër se me mijëra hektarë tokë si një ndër sektorët më të mëdhenj është lënë djerrë, unë jam skeptik”, tha deputeti Xhelal Mziu.
“Do kemi planin e veprimit në mbledhjen e radhës,me përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe grupeve. Do vendoset në prioritet nëse ndonjë nga kolegët e maxhorancës dëshiron të marrë fjalën, që të kemi qasje të njëjtë”, tha deputetja Anila Denaj.
Një ditë më parë, Taulant Balla shprehu mendimin e tij personal se 61 bashki që janë aktualisht janë shumë.
Ky qëndrim i tij paçka se personal çon një sinjal të qartë tek opozita, e cila synon përmes kësaj reforme të ri-formatojë hartën aktuale të bashkive në vend.
Vënia në shina e kësaj reforme erdhi pasi PD të hënën depozitoi 35 firma për t’u bërë pjesë e diskutimeve për territorialen.
Tetë vite më parë kur u miratua reforma territoriale, diskutimet u bojkotuan nga Lulzim Basha, duke i lënë fushë të hapur vendimmarrje PS bashkë me votat e PDIU-s.