I ndodhur në qelinë e burgut të Haglendenit në Hagë prej Dhjetorit të 2020, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka patur si vizitor disa ditë më parë kryeministrin shqiptar Edi Rama. Pas bashkëbisedimit që ka zgjatur pak më shumë se 2 orë, Edi Rama ka pohuar se ka kuptuar se Hashim Thaçi është edhe më i bindur për pastërtinë dhe domosdoshmërinë e krijimit të UÇK-së.
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Rama ka dhënë detaje të tjera në lidhje me takimin që ka pasur me ish-presidentin Thaçi. Rama ka treguar se arsyeja që ka vizituar Thaçin në Hagë është se e kishte marrë malli.
Blendi Fevziu: Cila ishte arsyeja që vizitove Hashim Thaçin në Hagë?
Edi Rama: Tek ai formulari që unë plotësova, pyetja ishte se cila është arsyeja dhe unë shkruajta “më ka marrë malli”. Arsyeja ishte se më kishte marrë malli.
Blendi Fevziu: E shkruajte sinqerisht atë?
Edi Rama: Natyrisht që sinqerisht.
Gjatë bisedës, kryeministri Rama ka zbuluar se i ka dërguar dhuratë në Hagë ish-presidentit të Kosovës një arkë me libra të cilat lidhen kryesisht me historinë e shqiptarëve.
Blendi Fevziu: Sa kohë qëndruat? Qëndruat disa orë besoj?
Edi Rama: Po kemi qëndruar disa orë.
Blendi Fevziu: Cila ishte tema e bisedës?
Edi Rama: Kemi folur për të gjitha gjërat, kemi folur për shëndetin dhe më ka treguar që për herë të parë qëkur bën analiza, trupi i tij është me të gjitha parametrat optimal. Më ka treguar për stërvitjen që bën, kemi folur për libra të ndryshëm.
Blendi Fevziu: I çove dhuratë?
Edi Rama: Po, një arkë të madhe me libra, por nuk e mori në atë moment sepse duhet të kalonte në një proces… Çova një mori librash. Kryesisht libra që lidhen me historinë e shqiptarëve, që tek Skëndërbeu, tek librat që kanë dalë për Zogun, për fëmijërinë e Zogut. Pastaj libra për Ballkanin dhe kështu me radhë dhe besoj se do t’i pëlqejnë. Besoj se ka lexuar ndonjë tek-tuk por nuk besoj t’i ketë lexuar që të gjithë.