Pas shpalljes non-grata nga SHBA, dhe bllokadës që i bëri PPE, Sali Berisha ka gjetur një vend ku të shkojë si kryetar i PD. Ai ndodhet në Baku të Azerbajxhanit këtë të enjte, ku është i ftuar në Forumin Gobal të IX në Baku. Ish-kryeministri shprehet se është ftuar nga bordi drejtues i forumit.

Sipas Berishës, ky forum është një mundësi e veçantë për të shprehur qëndrimet e Partisë Demokratike për zhvillimet në vend, rajon dhe Europë. Në këtë forum marrin pjesë dhjetëra presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm dhe qindra personalitete politike.

“Ju përshëndes nga Baku ku kam ardhur i ftuar nga bordi drejtues i Forumit Global të IX për të marrë pjesë në punimet e këtij Forumi i cili këtë vit ka si axhendë: ‘Sfidat e rendit botëror’ . Forumi organizohet nga Qendra Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi”. Në punimet e Forumit marrin pjesë dhjetëra Presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm dhe qindra personalitete politike nga Europa dhe të gjithë kontinentet e tjerë. Punimet e forumit i çeli Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alyiev. Ky forum është një mundësi e veçantë për t’u paraqitur miqve të mi, personaliteteve te pranishëm, publikut, dhe mediave qëndrimet e Partisë Demokratike për zhvillimet në vend, në rajon dhe në Europë”, shkruan Berisha.