“Rinia dhe Media e Re” ishin në qendër të diskutimeve në seminarin “Balkan Voices”, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Tiranë. Të rinjtë nga Ballkani diskutuan mbi integritetin e medias dhe rolin e brezave të rinj, si aktorë të ndryshimit në BE dhe në mjedisin mediatik rajonal.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se sot shoqëria ka nevojë për media të besueshme. Duke sjellë rastin e një lajmi që qarkulloi në portale për tigrin e Kopshtit Zoologjik, kryebashkiaku tha se media nuk duhet të rendë pas klikimeve, duke devijuar debatin nga temat e rëndësishme. Ai përmendi edhe lajmin e rremë që qarkulloi para disa ditësh, kur disa portale thanë se finalja e Conference League do të zhvillohej në Athinë e jo në Tiranë.
“Vetëm në javën e fundit, mund t’ju tregoj për lajme nga më të çuditshmet në Shqipëri. Një grup gazetarësh, të lidhur me një federatë sportive, tha se finalja e UEFA Conference League nuk do të luhej në Tiranë, por në Athinë, ndërkohë ne ishim ulur në një tavolinë me drejtuesit e UEFA-s, duke përgatitur finalen në Tiranë. Pas kësaj, askush nuk bëri një bilanc se kush ishin gazetarët që u investuan duke gënjyer publikisht. Për shkak të dy-tre portaleve, ka tre ditë që Tirana zien nga lajmi sa dhëmbë ka tigri i Kopshtit të ri Zoologjik, kur deri dje s’kishim fare Kopësht Zoologjik. Por, mua kjo më shqetëson sepse mbi të gjitha jam qytetar i Tiranës, pastaj jam edhe kryetar bashkie. Gazetaria e spektaklit, ato që quhen ‘clickbaits’, dëshira për të kapur klikime dhe për të devijuar nga tema reale, janë diçka për të cilën duhet të shqetësohemi sot”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se media dhe profesionistët e fushës e kanë së pari kontratën me të vërtetën. “Sot kemi nevojë për burime mediash të besuara, që u kërkojnë llogari politikanëve, që i tregojnë të vërtetat shoqërisë, që ngjizin debate reale për çështje konkrete, për të cilat ia vlen të debatohet dhe të përfshihet e gjithë shoqëria. Sot ka televizione në Shqipëri dhe në Ballkan, ku një ditë kryetari i Bashkisë është njeriu më i suksesshëm, kurse ditën e dytë, nëse nuk i ka dhënë tender pronarit të televizionit, del si krimineli më i madh. Kjo ndodh përpara syve tanë. Sot kemi televizione në Shqipëri, edhe në Ballkan, që kanë pronarë trafikantë droge. Sot ka gazetarë që janë gati të flasin për gjithçka, por jo për vendin e punës ku punojnë ata. Si mundet një trafikant droge të ketë televizion në Tiranë, në Beograd, në Sarajevë, në Shkup? Gazetaria e mirëfilltë e ka fillimisht kontratën me të vërtetën, pastaj me atë që i jep rrogën”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se media nuk mund të përdoret nga të tjerët si një mjet për t’u vendosur gjoba bizneseve të ndershme. “Ti lexon një lajm në një portal që mund të ketë qindra, mijëra klikime, dhe shikon se si i bie përditë një kompanie celularësh. Të nesërmen në atë portal shikon logon e kompanisë që ka ofruar reklamë. Lexon si i bie një supermarketi dhe të nesërmen baneri i supërmarketit shfaqet në portal. Kjo është gjobëvënie! Nuk ka rëndësi nëse e vënë gjobën me maskë, me armë, duke bastisur një dyqan, apo përmes një portali. Është gjobëvënie! Është marrje me dhunë ose me presion i të mirave financiare, pa vullnetin e dikujt. Kjo ndodh në të gjithë Ballkanin dhe është turp. Ne s’mund të bëjmë paqe me këtë realitet, as me lajmin e rremë, as me faktet alternative, as me gjobëvënien dhe as me bastisjen, që i bëhet publikut dhe të vërtetës, nga njerëz që janë me të kaluara kriminale dhe sot ne i nderojmë dhe i ftojmë nëpër recepsionet tona, i bëjmë konsuj nderi, ndërkohë që janë trafikantë droge”, u shpreh ai.
Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, nënvizoi se Bashkimi Europian beson fuqimisht se të rinjtë me vetëbesim e të aftë, së bashku me aktorë të pavarur të medias dhe informacioni i besueshëm, mund të kontribuojnë për një rajon më demokratik dhe të shtrojnë rrugën drejt integrimit në BE.