Ballkani Perëndimor është një prioritet strategjik për Bashkimin Evropian, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç në Podgoricë.
Duke falënderuar Malin e Zi për mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë Michel tha se duhet vazhdohet të ushtrohet presion ndaj ekonomisë ruse përmes gjashtë paketave të sanksioneve për të cilat është rënë dakord. Gjithashtu, Mali i Zi ka hapur dyert për refugjatët ukrainas.
Michel theksoi se Mali i Zi ka bërë progres të madh në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE.
“Ballkani Perëndimor është prioriteti strategjik i BE-së, më shumë se kurrë më parë”, u shpreh zyrtari i lartë i BE-së.
Michel ka planifikuar të takohet edhe me kryeministrin Dritan Abazoviç në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi.