Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që u mbajt në Selanik, Greqi.

Ajo vlerësoi angazhimin e kryesisë greke të SEECP-së për përmbushjen me sukses të objektivave, teksa theksoi rëndësinë e procesit të zgjerimit dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryediplomatja Xhaçka unshpreh se SEECP është shndërruar në një mekanizëm rajonal shumëpalësh që po lehtëson dialogun e përgjithshëm politik gjithëpërfshirës, drejt bashkëpunimit rajonal dhe rrugës së integrimit evropian.

“Kërcënimet ndaj ekonomive tona, ndikimi i luftës kundër Ukrainës në të gjitha fushat, por veçanërisht për furnizimet tona me ushqim dhe energji, janë tashmë një burim serioz shqetësimi. Shqipëria është e angazhuar në mënyrë aktive në adresimin e këtyre çështjeve, së pari duke luajtur, si gjithmonë një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon, por falë pozicionit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo mund ketë një ndikim në shkallë globale, veçanërisht sa i përket sigurisë ushqimore”, tha ajo.

Ministrja u ndal dhe tek Strategjia SEE 2030, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, ndërsa prezantoi vullnetin e Shqipërisë për të marrë presidencën e nismës rajonale SEECP për periudhën 2024 – 2025.