Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të Maturës 2022 të nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri”, e cila u organizua në palestrën e re të këtij gjimnazi. Në këtë ceremoni merrnin pjesë rreth 450 maturantë, të shoqëruar nga prindër dhe mësues.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi shprehu falënderim dhe mirënjohje të veçantë për të gjithë maturantët që treguan durim, këmbëngulje dhe u përshtatën në një kohë rekord pas tërmetit, por edhe me sfidën globale dhe kushtet e reja të pandemisë, e cila i bëri të gjithë shumë herë më të përgatitur t’i bëjmë ballë të papriturave apo emergjencave.
Tashmë që është edhe momenti për të marrë vendimin për studimet e larta, ministrja Kushi tha se jemi të vetëdijshëm që të rinj e të reja që shkëlqejnë me rezultatet e tyre, largohen jashtë vendit për studime.
Ministrja i ftoi të gjithë maturantët e diplomuar që të kenë besim tek aftësitë e tyre dhe të vazhdojnë të studimet në Shqipëri, pasi para tyre tashmë ka shumë mundësi dhe alternativa. Ajo shtoi se janë ndërmarrë disa reforma që studentët të kenë mundësi të mira zgjedhjeje në Shqipëri. Ndërkombëtarizimi i universiteteve, degët prioritare dhe mbështetja studentore, përmirësimi i infrastrukturës universitare, përshtatja e programeve me tregun e punës dhe përfshirja e studentëve në kërkim shkencor, janë vetëm disa prej këtyre reformave.
Në mbyllje të fjalës së saj ministrja Kushi u kërkoi të rinjve që të kenë besim tek aftësitë e tyre, tek e ardhmja si dhe të kenë besim tek Shqipëria.
Duke folur për gjimnazin e ri “Sami Frashëri”, znj. Kushi tha se tashmë pret me padurimin inaugurimin e shkollës, sepse është një investim i madh, më i bukur dhe më bashkëkohor.