Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka replikuar me deputetin Vangjel Dule duke i thënë atij se “po stolis protestën që ka thirrur Sali Berisha”.
Gjatë fjalës në Kuvend, ministrja Spiropali i është drejtuar opozitës duke u shprehur se kërkojnë që të nxisin turmat për të shpëtuar Sali Berishën.
Duke iu referuar situatës brenda selisë blu, ministrja tha se sa më shumë të përparojë “lufta” mes demokratëve, aq më shumë i largohen pushtetit që ëndërrojnë.
Spiropali: Dule kam një pyetje për ju, do e stolisni ju protestën e katranit që sapo foli? Meqë ju jeni një njohës i mirë i gjuhës më shumë se kushdo këtu. Duhet të dini nëse ka një stoli të cilës iu është rënë në qafë në këtë Kuvend është fjala e gjuhës shqipe. Të errur nga inati dhe të çartur nga mllefi, se sa më shumë përparojnë në luftën e tyre të brendshme, aq më shumë i largohen pushtetit që ëndërrojnë për të bërë pikërisht këto gjëra që sot, i përmendin këtu në Kuvend, sepse është e njohur sindroma “ah ç’kam bërë unë kur isha aty dhe ah çfarë do bëja unë po të isha prapë aty” dhe ju duket sikur të gjitha gjërat që i kanë bërë vetë, apo do i bënin vetë, i bëjmë ne të tërë, janë katandisur që gjuhën e kanë kthyer në një mjet kriminal të bjerrjes së besimit këtu dhe për publikun shqiptar.
S’ka krim më të madh se sa ta kthesh sallën e Kuvendit në një arenë të tillë të shpërdorimit të gjuhës shqipe. Duhet të diskutonim me gjuhën që na takon si deputet, jeni kapur pas flokëve të Saliut, ç’ti bëjmë ne kësaj. Sa më shumë kapeni pas flokëve të tij dhe thoni që flisni për qytetarët, për të cilët përgjigjemi ne dhe nuk i kemi lënë një ditë vetëm as në ditë të bardhë e të zezë, ju s’merreni me qytetarët doni të nxisni turmat që të shpëtoni Saliun. Ky është ndryshimi i madh midis nesh. Sado të flisni bukur, nuk e zhbëni dot kontrastin, ju si stolia e grupit.