- Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka rrëfyer përjetimet emocionale gjatë vizitës së zhvilluar gjatë kësaj jave në Ukrainë. Ministrja tregon se gjatë qëndrimit në Kiev, delegacioni shqiptar ka vizituar dy zonat periferike, Borodyanka dhe Irpin.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Spiropali thotë se në zonat periferike, të shihje ndërtesa të djegura dhe të pabanuara, të jepnin një ndjesi shumë të keqe.
*Pyetje:* Lajmet thonë që periferia e Kievit ka mjaft ndryshim nga qendra, sepse periferia është mjaft e prekur dhe e goditur. A vihej re ndryshimi dukshëm?
*Spiropali:* Ne kishim një itinerar shumë të ngjeshur takimesh përgjatë një dite, edhe pse udhëtimi ishte më i gjatë. Rreth 24 orë ne i shpenzuam në tren, vajtje-ardhje. Por në Kiev gjatë gjithë ditës në takime, ishte e qartë që zonat që ne vizituam në periferi, si Borodyanka apo Irpin, ishin zona shumë të goditura. Në tërheqjen e trupave ruse, masakrat janë tashmë në sytë e të gjithëve. Të gjitha mediat i kanë raportuar. Borodyanka është rast edhe më e rëndë sesa Bucha, sipas autoriteteve ukrainase. Presidenti Zelensky e ka theksuar disa herë, janë qindra civilë të vrarë dhe gra të përdhunuara në këto zona ku rusët janë tërhequr pas çlirimit të tyre. Ishte e rëndë t’i shihje. Fillimisht ne vizituam Borodyanka-n dhe pamë ndërtesat e djegura dhe të rrafshuara nga sulmet ruse.
*Pyetje:* Çfarë ndjesie të krijonte?
*Spiropali:* Ndjesinë më të keqe të mundshme. Periferitë e Kievit janë shumtë të gjalla dhe aty ishte e dukshme që kishte një jetë shoqërore dhe komunitare aktive, përpara invazionit rus. Të shihje ato ndërtesa fantazma, pa njerëz, njerëzit ishin larguar. Lajmi i mirë tani është që po kthehen se kanë një ndjenjë të fortë përkatësie, por gjithësesi, ndërtesa të rrënuara, njerëz të larguar dhe kur ke edhe përpara syve imazhin e trupave në ato rrugë, situata emocionale rëndohet.
Ministrja thotë se vizita në Ukrainë dhe itinerari, nuk mund të bëheshin publike më parë, për arsye sigurie.
*Pyetje:* A ishte kjo vizitë e planifikuar? Pasi lajmi u bë i ditur një ditë përpara se të niseshit për në Kiev.
*Spiropali:* Patjetër që ishte i planifikuar, jo për një kohë të gjatë. Po diskutohej prej 10 ditësh. Për arsye sigurie të tyre dhe tonat, nuk mund të bëhej publike dhe itinerari nuk mund të ishte në media. Gjithashtu edhe konferenca për shtyp nuk mund të ishte ‘live’ aty por u dha pak më vonë për arsye sigurie.