Kujtimet e ngjarjet, ndërhyrjet dhe veprimet, sukseset e dështimet, dëshirat dhe mundësitë… Të gjitha të përmbledhura nga Alfred Moisiu në një libër për Presidencën 2002-2009 do të jenë si udhërrëfyes për një tjetër President të vendit.

Alfred Moisiu, parathënien e librit të tij “Midis Nanos dhe Berishës”, Presidentit të ardhshëm Bajram Begaj, ia dha dje në formë këshille për mandatin e ri presidencial. “Kujtimet e mia janë kujtime të një Presidenti që, as ditën e parë dhe as të fundit, nuk erdhi në detyrë për të përfituar nga lartësia zyrtare e postit, por si në ditën e parë edhe në të fundit i shërbeu me besnikëri qytetarëve dhe përgjegjësive që burojnë nga detyra e lartë”.

Kështu shprehet në krye të librit të tij me kujtime “Midis Nanos dhe Berishës”, për të cilin ish-Presidenti Moisiu thotë për gazetën “Panorama” se e diskutoi gjatë takimit të djeshëm me kreun e ri të shtetit me qëllim që të përfitojë nga përvoja e tij e mëparshme, si kryetar shteti.

Bajram Begaj nga ana e tij e shfrytëzoi ditën e parë si President për të marrë këshilla pikërisht nga një tjetër ishushtarak që drejtoi Presidencën e Shqipërisë. I zhveshur me dekret Presidencial nga roli i tij si ushtarak, Bajram Begaj dëgjoi nga afër këshillat e Moisiut, mes të cilave se si të njohë mirë klasën politike dhe të qëndrojë jashtë lojërave të saj politike. Kurse ish-Presidenti Moisiu u shpreh se Begaj ka një integritet për të ruajtur interesat e kombit dhe shqiptarëve.

Z. Moisiu, takimin e parë si President, z. Bajram Begaj e zhvilloi me ju. Si ishte takimi mes një ish-Presidenti me një Presidenti te ri?

Një takim shumë miqësor. Ishte një takim shumë i sinqertë mes nesh.