Samiti i NATO-s në Madrid duket se ka bashkuar liderët në dakordësinë për t’i hapur rrugën një koncepti të ri strategjik, ku theksohet se “Rusia është një kërcënim dhe aleanca do t’i përgjigjet veprimeve armiqësore të saj”.
“Federata Ruse është kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe paqen dhe stabilitetin aleat në zonën euro-atlantike. Ajo kërkon të krijojë sfera ndikimi dhe kontrolli të drejtpërdrejtë nëpërmjet shtrëngimit, përmbysjes, agresionit dhe aneksimit. Ajo përdor mjete konvencionale dhe hibrid kundër nesh dhe partnerëve tanë”, shkruhet në pasazhin kryesor kushtuar Moskës në Konceptin Strategjik 2022 të sapo publikuar nga NATO.
Në samit u vendos një paketë e re mbështetjeje për Ukrainën dhe gjithashtu u ra dakord që Samiti i ardhshëm të zhvillohet në vitin 2023 në Vilnius të Lituanisë, duke i dhënë një mesazh të qartë bashkimi Vladimit Putinit, pas kërcënimit me armë bërthamore ndaj vendit Baltik, që pengoi lëvizjen e mallrave dhe mjeteve ushtarake drejt enklavës ruse të Kalininingradit.
Ndërkohë, në deklaratë gjithashtu thuhet: “Rusia ka përkeqësuar qëllimisht një krizë ushqimore dhe energjitike, duke prekur miliarda njerëz në mbarë botën, duke përfshirë edhe veprimet e saj ushtarake”.
“Aleatët po punojnë ngushtë së bashku për të mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për të mundësuar eksportet e grurit ukrainas dhe për të lehtësuar krizën globale të ushqimit. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë gënjeshtrat e Rusisë dhe të hedhim poshtë retorikën e saj të papërgjegjshme”, shprehen njëzëri liderët e aleancës në deklaratën e përbashkët, të firmosur në Madrid.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u kujtoi vendeve anëtare të aleancës që të angazhohen për të ndarë të paktën 2% të PBB-së për shpenzimet ushtarake.
“Për të mbrojtur veten më shumë, është e nevojshme të shpenzojmë më shumë. 2% është minimumi, jo tavani”, tha ai në një konferencë për mediat.
Por të gjithë këtyre deklaratave nga NATO, Moska i është përgjigjur me arrogancë, duke theksuar se shumë shpejt do t’u përgjigjet forcave të reja amerikane në Evropë.
“Rusia nuk do ta lërë pa përgjigje vendimin e shpallur sot nga presidenti amerikan Joe Biden për të vendosur forca të reja në Evropë, përfshirë Italinë”, u shpreh zëvendësministri i Jashtëm rus Serghei Ryabkov.
Ai gjithashtu paralajmëroi se Moska ka kapacitetin dhe burimet e duhura për t’u përgjigjur.
“Rusia nuk është frikësuar nga kjo lëvizje. Uashingtoni mund ta kishte shmangur një përshkallëzim të tillë”, theksoi Ryabkov në reagimin e tij.